Shtyhet për në fund të vitit ngritja e institucioneve të reja të parashikuara nga reforma në Drejtësi. Me përmbylljen e fazës së parë të procesit të Vettingut, Këshilli i emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk do të mund të ngrihen.

Edhe pse kanë mbetur 6 nga 57 emrat e listës së parë të subjekteve që do t’i nënshtrohen rivlerësimit, konstituimi i këtyre institucioneve do të duhet të shtyhet për disa muaj. Kjo pasi nga 12 anëtarët e KED, përfshijë edhe zëvendësuesit, vetëm 3 mundën të konfirmoheshin në detyre, ndërsa për KLGJ dhe KLP problem mbetet mosplotësimi i kandidaturave nga Gjykatat dhe Prokuroritë e Apelit.

Sipas ligjit, 6 anëtarët që vijnë nga radhët e gjyqësorit për KLGJ përzgjidhen, 3 nga gjyqtarët e shkallës së parë, ku të paktën njëri duhet të jetë i një gjykate jashtë Tiranës, 2 të tjerët nga gjykatat e apelit, ku njëri sërish duhet të jetë nga një gjykatë jashtë Tiranës dhe anëtari i 6 nga Gjykata e Lartë. Kështu pamundësia për të ngritur Këshillin e Lartë Gjyqësor do të shtyjë në kohë zgjidhjen e ngërçit në Gjykatën e Lartë.

Ndërsa mungesa e KLP-ës do të zvarrisë më tej ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit dhe Prokurorisë antikorrupsion. Nisja e një procesi të ri për kandidatët e tjerë që do të hyjnë në garë për të plotësuar anëtarët e të dy institucioneve kërkon të paktën tre muaj vetëm për rivlerësimin, pa llogaritur procedurat e tjera.

Pa zgjidhje mbetet edhe situata në Gjykatën Kushtetuese, duke qenë se dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka të konfirmuar vetëm 3 nga 9 anëtarët.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb