TIRANË- Dy mina me celular, që dyshohet se do të përdoreshin për ndonjë ngjarje të mundshme kriminale, janë sekuestruar dje nga oficerët e Komisariatit nr.6 në Tiranë.

Në pranga ka përfunduar 30-vjeçari Taulant Goli, nga fshati Zdrajsh-Vërri i Librazhdit, që po hetohej prej disa javësh nga Policia.

Ai është arrestuar me akuzat “mbajtje pa leje e armëve, bombave apo minave ose lëndëve plasëse” dhe “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Operacioni për arrestimin e të dyshuarit u organizua rreth orës 16:30, pranë një lokali në zonën e Unazës së Re, në Tiranë, nga shërbimet e Komisariatit nr.6.

Në momentin që ka konstatuar Policinë, ai ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar menjëherë, duke u prangosur. Ndërsa në një çantë që kishte me vete iu gjetën dy bombat me eksploziv C4, të montuara me celular, si dhe disa doza lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë totale rreth 30 gramë.

Burimet thanë se dyshohet që minat do të përdoreshin për ndonjë sulm të mundshëm në Tiranë, megjithëse ende nuk ka të dhëna konkrete. Vetë i arrestuari ka refuzuar të japë shpjegime në polici, duke preferuar të mos flasë deri në një moment tjetër.

HETIMI Prej disa javësh oficerët e Krimeve të Komisariatit nr.6 kishin siguruar informacione operative në lidhje me veprimtarinë kriminale të një personi që konsiderohej me rrezikshmëri të lartë. Bëhej fjalë për një person të njohur për prirje radikale, nga fshatrat e Librazhdit, por që herë pas here shihej në zonat periferike të Tiranës dhe kishte krijuar dyshime me lëvizjet e tij.

Në bazë të këtyre informacioneve është arritur që ky person të identifikohej dhe më pas është mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e Policisë. Ata kanë ndjekur në distancë të gjitha lëvizjet e tij të dyshimta, kryesisht në zonën e Unazës së Re.

Pasditen e djeshme, rreth orës 16:30, ai është konstatuar në afërsi të bar-kafe “A…”, në zonën ku po mbahej në vëzhgim. Lëvizjet e tij të shpërqendruara kanë tërhequr vëmendjen e oficerëve të Policisë, që nga ana tjetër, kishin marrë informacion se ai mbante sende të jashtëligjshme me vete.

Menjëherë është marrë vendimi për të ndërhyrë, në mënyrë që të bëhej kapja në flagrancë. Me vete iu gjetën dy minat me celular dhe sasia prej 30 gramësh kokainë. /Panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb