Mediat serbe raportojnë se Beogradi zyrtar i ka refuzuar kërkesën, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, që të shtunën dhe të dielën (21 dhe 22 korrik) të vizitojë Novi Pazarin.

Siç raporton televizioni shtetëror serb, RTS, kërkesa e zv/kryeministrit Pacolli është refuzuar nga autoritetet serbe duke u justifikuar me kornizën ligjore të UNMIK-ut.

“Sipas kornizës së përkohshme ligjore të UNMIK-ut, Kosova nuk ka Ministri të Punëve të Jashtme, prandaj marrëveshja për vizitat nga zyrtarët nuk zbatohet në rastin e zv.kryeministrit Pacolli”, raporton RTS, përcjell Telegrafi.

Sipas kësaj medie, Behgjet Pacolli ka thënë të enjten se kishte kërkuar leje nga Beogradin që më 21 dhe 22 korrik të kryejë një vizitë zyrtare në Novi Pazar dhe Sanxhak, duke thënë se në qoftë se nuk i jepet leja nuk do të shkojë nëpër rrugët malore siç kishte bërë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric, për të hyrë në Kosovë.

Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve e ka ftuar Behgjet Pacollin të vizitojë Novi Pazarin dhe Rashkën gjatë kësaj fundjave në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës.

“I nderuari zoti Pacolli, propozojmë që axhenda e vizitës suaj të jetë 21 dhe 22 korriku 2018. Me pranimin e kësaj ftese dhe ardhjen tuaj do t’i bëni nder të madh Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve, boshnjakëve dhe gjithë qytetarëve të Sanxhakut”, thuhet në letër.

Nga Ministria e Punëve të Jashtm e Kosovës ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar rreth kësak vizite.
Arsyetimi i refuzimit të kërkesës së Pacollit për vizitë në Novi Pazar, duke u thirrur në kornizën ligjore të UNMIK-ut është absurd, sepse autoritetet e Beogradit vazhdimisht bashkëpunojnë me të gjitha ministritë e Republikës së Kosovës dhe ndërkohë në Beograd është edhe zyra ndërlidhëse e Kosovës, e cila është pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: