TIRANE – Në seancën e sotme në parlament, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu e përqëndroi fjalën e tij tek rënia e shtetit për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Ai e quajti situatën aktuale një grush shteti. “Ne jemi në kushtet e një grushti shteti dhe banditizmi kushtetues. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, Nuk kemi Gjykatë të Lartë, nuk do ketë Gjykata Apeli, nuk do ketë Gjykata Rrethesh së shpejti. Pra faktikisht shteti ka rënë sepse një nga kollonat e tij më të rëndësishme, ajo e Pushtetit Gjyqësor, nuk egziston dhe nuk funksionon,” u shpreh Mediu.

“Kjo është situatë skandaloze, ne jemi kthyer në Republikë bananesh dhe Republika Parlamentare Kushtetuese ka pushuar së funksionuari. Sepse çdo Republikë Parlamentare ka tre pushtete bazë që garantojnë funksionimin e Shtetit dhe të drejtat e shtetasve, ato janë të pavarura dhe ndërveprim i cili  garantohet nga parimi check and balance (Kontrollit dhe Balancimit).

Rënia e Pushtetit Gjyqësor do të thotë rënia e Shtetit, rënia e qytetarëve dhe të drejtave të tyre, sepse është Pushteti Gjyqësor ai që mbron qytetarin nga abuzimi i shtetit, i qeverisë, i Parlamentit dhe është gjyqësori që garanton dhe detyron zgjidhjen e të drejtave të tij. Kjo nuk është më hipotezë, por realitet në Shqipëri, sin ë asnjë vend tjetër në rajon apo Europë, sot kemi vetëm një pushtet dhe një njeri që kontrollon gjithçka. Rama de fakto është Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, është Kryeprokuror, është ligjvënës dhe zbatues, është përcaktuesi dhe mohuesi i të drejtave të shqiptarëve.

Kjo situatë është e paprecedente, është dramatike. Enver Hoxha, diktatori famëkeq, të paktën fomalisht kishte Gjykata, hetuesi dhe prokurori, ndërsa sot nuk kemi asnjë hallkë të gjyqësorit.

Të gjithë kemi qenë pro Reformës në Drejtësi, kemi qenë për vetingun dhe ndryshimet kushtetuese, Komisioni i Venecias me shqetësim në vlerësimet e tij theksoi që në fillim se kjo reformë nëse nuk aplikohej me kujdes, do krijonte një goditje të rëndë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, dhe ja ku jemi sot,” tha Mediu.

BalkanWeb

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: