Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ishte i pranishëm gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE, e cila u mbajt në Parlamentin gjerman. Ai ngriti problemin e mungesës së GJykatës Kushtetuese dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare, në emër të opozitës Mediu vlerësoi se në qendër të punës së OSBE është mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të qytetareve, e drejta e tyre për të vendosur nëpërmjet votës, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Mediu gjermani (3)

Ai theksoi se nëse OSBE vëzhgon zgjedhjet dhe bën rekomandime atëherë është e domosdoshme që ajo të ndjekë zbatimin e tyre, e në mënyrë të veçantë, blerjen e votës, influencën e krimit të organizuar në zgjedhje dhe kapjen e shtetit, të cilat ai i cilësoi si rrezikun më të madh, veçanërisht në Shqipëri.
Në këtë kontekst ai u shpreh se garantimin e të drejtave të qytetarëve e siguron një gjyqësor i pavarur.

“Shqipëria u përfshi në një proces të reformës në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe garantuar pavarësinë e tij.
Të gjithë ranë dakord dhe e vlerësuan si të domosdoshme, por ajo që është e domosdoshme është implementimi i drejtë i saj. Sot ne jemi në mungesë të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe bllokim të Gjykatës së Lartë, dhe mund të përfundojmë në mosfunksionimin e Gjykatave të tjera”, u shpreh Mediu.

Mediu gjermani (2)

Ai theksoi se mungesa e pushtetit gjyqësor i jep autoritet vetëm qeverisë, ndërsa ngriti pikëpyetjen se si mund luftohet korrupsioni në këto kushte dhe se ku është zbatimi i Kushtetutës bazuar me parimin “Check and Balance”.

Mediu e cilësoi Shqipërinë si një rast unik në Europë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese apo me një Gjykatë të Lartë të bllokuar, duke përmendur si shembull Amerikën, vend në të cilin zhvillohet debat se kush duhet të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë një kohë kur në Shqipëri kjo Gjykatë nuk funksionon fare.

“Ne nuk mund të vazhdojmë kështu duhet të ulemi dhe të ndryshojmë këtë situatë për të pasur një pushtet gjyqësor të pavarur dhe funksional. NATO dhe BE janë padyshim rruga e vetme e Ballkanit për prosperitet dhe demokraci të qëndrueshme kushtetuese”, theksoi Mediu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb