Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu priti në një takim të dërguarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, deputetin britanik Mark Pritchard.

Ne takim Mediu ngriti shqetësimin për situatën në sistemin gjyqësor. Duke mbështetur nevojën për një reformë të drejtë dhe transparente në drejtësi, Mediu theksoi se situata në të cilën ndodhet Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë dhe ndoshta së shpejti pa gjykata apeli është një situatë e paprecedentë dhe e qëllimshme për t’i dhënë kontroll absolut qeverisë në kontrollin e jetës politike dhe ekonomike në vend.

‘Mungesa e këtyre gjykatave i ka dhënë mundesinë Qeverisë të aprovojë ligje në shkelje të kushtetutës dhe njëkohesisht të shkel cdo mundësi për qytetarët të gezojnë apo mbrojnë liritë dhe të drejtat e tyre.’ -u shpreh Mediu

Po ashtu Mediu theksoi se reforma zgjedhore pa një gjyqësor të pavarur është një reformë e kotë sepse cdo rezultat final do të vendosej nga gjykata nën kontrollin e qeverisë. Nëse deri më sot ka qenë problem blerja dhe manipulimi i votës, me kontrollin e plotë të gjyqësorit qeveria socialiste do vinte në diskutim cdo rezultat të zgjedhjeve për të përjetësuar kështu pushtetin e saj nëpërmjet korrupsionit dhe krimit, manipulimit dhe gjykatave politike.

Në takim ishin të pranishëm gjithashtu edhe ambasadori Andreas Nutele dhe zv.ambasadori i OSBE në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb