TIRANE- Ekonomia shqiptare arriti rritjen më të madhe në 10 vjet, me 3.84% dhe pritet që të vazhdojnë me këto ritme. Kështu tha ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një konferencë për mediat. Sipas tij, kjo ecuri ka ardhur nga investimet e brendshme, të huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend. Ai tha se papunësia në rajon është më e ulëta, ndërkohë që trendi është në rënie.

“Numri i të punësuarve ka arritur në 560 mijë, me rreth 240 mijë të punësuar më shumë në krahasim me vitin 2013, duke iu referuar listëpagesave të Drejtorisë së Përgjithsme të Tatimeve. Hapësirat për punësim janë ende të larta”, tha Ahmetaj, sipas të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

Ministri i Financave përmendi dhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë për rritjen e besimit në ekonomi, i cili u rrit me 3.7 pikë në tremujoin e parë 2018.

“Indeksi i shifrës së afarizimit shënoi një rritje prej 4.7% në tremujorin e fundit të vitit 2017. Për investimet e huaja, Shqipëria ka nivelin e dytë më të lartë në rajon, pas Malit të Zi, në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Eksportet kanë vijuar rritjen e qëndrueshme, me 18 % për tremujorin, ndërkohë që në kahun tjetër ka një rritje të lartë të importeve për makineri dhe pajisje. Kredia për ekonominë është gjallëruar, megjithëse në nivelin 36.6% të PBB-së, mbetet ende e ulët në raport me vendet e rajonit. Të ardhurat tatimore, për janar-prill janë rritur me 4.5% në krahasim me faktin e katër muajve të parë të 2017-s”, tha Ahmetaj.

“Kursi i këmbimit ka dëmtuar të ardhurta në dogana me 1.3 miliardë lekë, por shpresojmë ta kompensojmë me efektivitet në administrim”, vijoi ministri.

Ahmetaj tha se janë rreth 5 mijë biznese të reja, që janë shtuar neto në katër mujat e parë të vitit.

Ai shtoi se inflacioni në muajin prill ka qenë në nivele normale prej 2.1% dhe kjo tregon se nuk ka pasur ndikim në rritjen e çmimeve nga ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë.

Lidhur me kursin e këmbimit Ahmetaj tha se “ai është ndër më të qëndrueshmit në rajon. Ai reflekton faktorët fondametalë, si përmidësimi i bilancit të pagesave, akomodimi i politikave dhe investimet e larta të huaja”.

Ministri Ahmetaj tha se “qeveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do të ishte e gabuar të bëheshin ndërhyrjet”.

Për eksportuesit e fasonëve, Ahmetaj tha që luhatja e kostove nga kursi për ta është e kufizuar nga 2 në 2%, për shkak se ata kanë një vlerë të shtuar të ulët, prej maksimumi 20%. Ai rekomandoi që eksportuesit të shohin më shumë nga produktiviteti dhe jo nga kostot.

Në gjithë rajonin, tha Ahmetaj, monedha vendase po forcohet për shkak të përmirësimit të ekonomisë së rajonit.

Ahmetaj prezantoi disa nga iniciativat e fundit të Ministrisë së Financave. Bizneset nga 8 deri në 14 milionë lekë do të kenë tatim fitimi 5%, përr shkak të rritjes së pragut të tatim fitimit dhe TVSH-së, nga 8 në 14 milionë lekë. Kjo pritet që të hyjë në fuqi maksimumi në 1 janar të vitit të ardhshëm.

Nga kjo pritet që të përfitojnë mbi 10 mijë biznese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb