Ministria e Brendshme nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).  Për Ministrinë e Brendshme nënshkroi zv.ministrja Rovena Voda ndërsa në emër të ICMP firmosi Matthew Holliday, drejtues i ICMP për Ballkanin Perëndimor. Ceremonia u bë gjatë një takimi ku morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësues të ICMP, diplomatë të akredituar në Tiranë dhe veprimtarë e ekspertë të shoqërisë civile.

Marrëveshja synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, nga 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991, duke përcaktuar në veçanti rregullat e bashkëpunimit për identifikimin, gjetjen e personave të humbur, si dhe për koordinimin e punës me organet përgjegjëse.

Zv.Ministrja e Brendshme Rovena Voda në fjalën e mbajtur me këtë rast nënvizoi se “ballafaqimi me të kaluarën është një detyrim ligjor dhe moral për të gjitha grupet shoqërore, si parakusht për arritjen e paqes sociale në vend. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur do të vendosë drejtësi për të gjithë familjarët e tyre, do të mbyllte plagën e rëndë të shoqërisë tonë, si dhe do të vendoste paqe dhe stabilitet“.

Më tej ajo u shpreh për angazhimin e plotë, pavarësisht vështirësive objektive e ndërlikimeve që mund të dalin.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb