Nga Ornela Manjani
Miratohet fondi për kompensimin e pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Fondi arrin në 732 milionë për sipërfaqe prej 43 965 m2. Në total janë rreth 1200 pronarë që do të marrin paratë për tokën. Lista është publikuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, e cila bën të ditur se 9 korrik nisin procedurat për dorëzimin e dokumenteve. Përfituesit janë në Tiranë, Kamzë, Vorë, Elbasan, Durrës, Fshatra Turistikë dhe Shkodër.

Vendimi është marrë në mbledhjen e këshillit të ministrave dhe në pikën 2 të tij thuhet se “masa e kompensimit është 43 965,31 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 731 847 186,22 lekë”. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtaren dhe pronarët duhet të presin vetëm çeljen e procedurave për aplikim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për të dorëzuar dokumentet e më pas për të marrë paratë.

Aplikimi
“Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 09/07/2018 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë. ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatës”-thuhet në njoftimin e ATP-së. Sipas njoftimit subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë gjashtë dokumente.

Për të përfituar kompensimin për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje duhet të paraqesin në ATP kërkesë për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale (ALUIZNI). Pronari plotëson një kërkesë për kompensimin në vlerë sipas formatit Tip që vihet në dispozicion nga ATP-ja. I interesuari duhet të paraqesë dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.

Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie. Një tjetër dokument është vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar.

Dokumentet
1. Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;
2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

3. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 mijë lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme;

4. Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;
5. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;
6. Mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 mijë lekë.

Listën e plotë me emrat e gjeni sot në Gazeta Shqiptare print, në çdo pikë shitjesh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb