Mos u bëfsh kurrë për spital”,-më ka thënë dikur nëna ime. Atëherë isha i ri dhe sigurisht nuk e kuptoja
në ishte ky një mallkim apo qortim për punonjësit e spitaleve të para nëntëdhjetës. Duhet ta provosh vetë këtë ndjesi për ta përdorur më pas shprehjen rutinë “Mos u bëfsh kurrë për spital”. Tashmë që arrita dhe unë në atë moshën e saj, e kuptoj drejt dhe qartazi shprehjen “Mos u bëfsh kurrë për spital. “E
kuptoj dhe si mallkim, por dhe si qortim për punonjësit e spitaleve, jo për të gjithë, e sidomos, jo për
disa nga punonjësit e urgjencës…

Para dy ditësh më takoi fati dhe mua të përfundoj në dyert e urgjencës së spitalit “Nënë Tereza” madje qysh në orën katër të mëngjesit…Kisha thjesht një bllokim urine, e shoqëruar me dhimbje dhe djegie të forta. Mora taksinë…Taksisti u tregua tepër i interesuar dhe i merakosur, duke më çuar me urgjencë gjer te hyrja e Urgjencës. Njerëzit e thjeshtë janë gjithmonë të përzemërt. E para gjë që më bëri përshtypje qysh në hyrje, ishte sportelistja, një vajzë e veshur me uniformë policore, e cila nuk ma vari fare. As iu
përgjigj pyetjes sime dhe as e ngriti kokën për të parë me kë kishte të bënte….Mbase, e lodhur nga
hyrje- daljet e shumta, por ç’ne? Në atë orë njeriu shkon në spitalin e urgjencës vetëm nga një hall i
madh.

U vërtita nëpër korridore mos takoja ndonjë bluzëbardhë për të më ndihmuar, ose orientuar, por ç’ne? Ku e gjeje dot një njeri të tillë në atë orë. Në atë orë gjeje vetëm pastruesen që llamburiste pllakat
kokulur dhe persona që vërtiteshin nëpër korridore duke kërkuar një mjek…

Polices ndofta i ishte bërë shprehi të mos ngrinte kokën, por mjekëve a u ishte bërë shprehi vallë që të mos gjendeshin në atë orë pranë të sëmurëve? Pyet andej, pyet këtej. Nuk shihja askënd me bluzë të bardhë. Vetëm të sëmurë, që vërtiteshin korridoreve duke kërkuar mjekun dhe të tjerë që dergjeshin krevateve. U tregua zemërmirë e në përshtatje me detyrën që kishte një infermier i ri, me veshje jeshile, i
cili më priti, më regjistroi emrin e më pas më drejtoi për te dhoma e Ekografisë.…Mirëpo dhe atje mjeku nuk gjendej. Ku janë këta njerëz, mendova. Mos kanë ndonjë urgjencë ose ndonjë mbledhje.

Po ç’ne? Në katër të mëngjesit zakonisht nuk bëhen mbledhje. Para dhomës së Ekografisë qëndruam së bashku me një plak tiranas, 85-vjeçar. Dhe ai kishte të njëjtin hall si unë… U tregua zemër gjerë pastruesja e cila, duke pastruar korridorin, e kish kuptuar shqetësimin tim, por vetëm ajo, ndaj ma bëri me shenjë që të shkoja e të trokisja te një derë…por të mos thosha kush më dërgoi. “Trokit se atje e ke, më tha. Ashtu bëra. Pas disa trokitjeve dera u hap me përtesë. Ishte një vajzë e shkurtër, simpatike, e cila duhej të ishte mjekja e ekos.…Nuk dua të vazhdoj më tepër me këtë mesele. Pas ekos u desh të prisja sërish gjer në orën pesë e tridhjetë që të behej i gjallë dikush nga mjekët e urgjencës. Ndërkohë që vëreja me kujdes gjendjen, persona të tjerë hynin duke mbajtur dikë për krahu. Nga të gjashtë mjekët që duhet
të ishin pranë të sëmurëve që rënkonin e kërkonin ndihmë, pas disa thirrjeve nga celulari u bë i gjallë vetëm një djalë i ri, i cili me përzemërsi më vendosi kateterin.

Kaq ishte dhe vuajtja ime. Asistimi në pavijonin e urgjencës, në orët e para të mëngjesit, ishte një rastësi,
për të parë me sytë e mi se si funksionon shërbimi në urgjencat tona të natës. Dhe ku! Në spitalin “Nënë Tereza”, ku të gjithë i kanë lidhur shpresat, të moshuar dhe të varfër, tek ky spital publik, meqë shërbimi
bëhet falas. Një mjek tjetër që desha ta takoja për të marrë ndonjë sqarim të mëtejshëm më ktheu
shpinën. I tha infermierit të më sqaronte…Ajo ç’ka pashë në atë gjysmë errësirë mëngjesi, më vuri në mendime…Vërtet këta mjekë janë neglizhentë ndaj detyrës së tyre, apo ajo që vura re unë ishte një rastësi…Vërtet kështu punohet në turnin e natës apo ishte vetëm ajo natë e tillë? Mundet që puna e tyre rutinë, me të sëmurë që u sillen rrotull, nga mëngjesi në darkë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, vit pas viti, i ka lodhur dhe i ka bërë më pak të ndjeshëm dhe më pak të kujdesshëm ndaj qytetarëve apo ka diçka tjetër, e cila do përmirësuar?

Infermieri im tek i cili i vara të gjitha shpresat mori disa herë mjekët në celular. U përgjigj vetëm ai djali i ri, i cili erdhi pa vonesë.…Duhet të ishin së paku gjashtë mjekë të turnit, tha ai…Ku gjendeshin të tjerët? A mos vallë ishte bërë në heshtje një marrëveshje, për t’i marrë në celular, vetëm në qoftë se do të vinte një njeri i rëndësishëm në pavijonet e urgjencës, pasi njerëz të thjeshtë që hynin duke i mbajtur për krahu e duke duruar dhembjet e veshkave, apo të stomakut, i pashë vetë, me sytë e mi. Një grua e moshuar e shoqëruar nga një grua e re u shtri gati për tokë. E reja thirri e mallkoi, por nuk u përgjigj askush.

Unë e kuptoj që mjekët janë mësuar me këta të sëmurë. Mbase iu është bërë e zakonshme ardhja e
personave me probleme shëndetësore, ashtu siç iu janë bërë të zakonshme dhe britmat e pacientëve
dhe klithmat e atyre që i shoqërojnë…Unë i kuptoj mjekët e lodhur dhe indiferentë, dhe e di që nuk janë shumë të tillë, por, dua t’u them se vetë ata, me dëshirën e tyre, e kanë zgjedhur këtë lloj profesioni humanitar…Në kontrast me këtë lloj shërbimi, unë mund t’u përmend plot raste të tjera të humanizmit, dhe në spitalet tona, por shërbim për t’u admiruar do të gjeni dhe do të dëgjoni nga emigrantët tanë në spitalet e huaja.…Një shërbim që të prek dhe që të vë në pozitë të vështirë, për ta falënderuar dhe shpërblyer mjekun me çfarë të mundësh.

Zotërinj doktorë, dhe doktoresha të nderuara, ju lutem, kini mirësinë që të na shërbeni siç e do puna dhe siç ua kërkon detyra…Unë një herë erdha pranë jush dhe mbeta i zhgënjyer…Të tjerë persona me probleme të mëdha shëndetësore i kini atje, çdo ditë. Është ai, populli i thjeshtë, i varfër dhe i përvuajtur që kur vjen atje ju shikon ju në dritë të syrit si shpresa e tij e vetme dhe e fundit…Plaku 85 vjeçar, në ato
pak çaste që qëndruam së bashku më tregoi se kishte gjashtë vjet që jetonte i vetëm. Gruaja i kishte
vdekur. Fëmijët i kishte jashtë. …Ishte tirons denbabaden. Nuk ia mësova emrin. Po sa të tjerë përplasen në mesnatë te porta e urgjencës së spitalit “Nënë Tereza”?

Nga Tirana dhe nga rrethet…Për ata ju jeni shpresa e vetme. U shikojnë ju, në sy, sikur të shikojnë Zotin. Pra, ju lutem, keni bërë betimin e Hipokratit kur jeni futur në ato banka shkolle të cilat ju kanë ngritur gjer në këtë detyrë humane dhe njerëzore. Kryejeni punën me dashamirësi dhe mirëkuptim, se, të them të drejtën, të vetmit persona me ndjenjë humane në atë pavijon, ishin infermieri dhe pastruesja. Ata
po. Ata ishin në krye të detyrës dhe nuk u ishin tharë akoma ndjenjat njerëzore. Në rininë time, si shumë të tjerë, dhe unë kam ëndërruar të bëhesha mjek. Mjek nuk u bëra, por mjekësinë e kam dashur dhe e dua shumë. Tani mendoj se, po të isha bërë një mjek, puna ime me të sëmurët do të ishte vërtet e lodhshme, por dhe me satisfaksion. Problemi qëndron tek paga. Është paga e mjekut ajo që nuk e justifikon as lodhjen as satisfaksionin. Eshtë një pagë e ulët për një punë sfilitëse, ajo që i bën disa prej mjekëve tanë, jo të gjithë, të kuptohemi, të sillen ndaj profesionit të tyre si ndaj një profesioni të çfarëdollojshëm.

Nuk është vetëm pasioni. Është dhe paga. Në qoftë se paga e një mjeku do t’i kalonte 1000 eurot, e mjaftueshme për kushtet tona, dhe impenjimi, interesi dhe përkushtimi ndaj detyrës do të ishte më i madh. Duke qenë dëshmitar i një bjerrjeje të interesi të punës së mjekut, në një nga spitalet tona më të mira, mendoj dhe do t’i sugjeroja shtetit që t’i ngrinte urgjentisht pagat e punonjësve të mjekësisë. Vetëm kështu dhe vetëm ky lloj stimulimi material do ta kthejë mjekësinë në destinacionin e vet humanitar

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: