Mediat italiane dhe spanjolle e kanë cilësuar ditën e sotme si “Modric-Day”, pasi kroati dhe agjentët e tij do të takohen me përfaqësuesit e Realit për të biseduar për të ardhmen.

Është e qartë se numri 10 i ‘galaktikëve’ do të kërkojë largimin nga “Bernabeu” me destinacion Interin, klubit që i ka ofruar 10 mln euro në sezon. Për këtë arsye vetë presidenti Perez ka marrë menjëherë frenat në dorë për ta trajtuar situatën.

Te klubi i bardhë, siç “Marca” raporton, mbeten të qetë për këtë kërkesë të kroatit dhe nuk ndryshojnë pozicionin e tyre.

Dera e largimit për lojtarin më të mirë të Botërorit të Rusisë është e mbyllur dhe do të referohet klauzola e tij e prishjes së kontratës, prej 750 milionë euro. Kjo shumë është krejtësisht e paarritshme nga Interi. Për më tepër, Real Madridi do të përpiqet për të hedhur bazat e një “restart” me Modric, duke ia rritur pagën në 12 milionë euro në sezon.

Pikërisht, performanca e tij spektakolare në Rusi dhe statusi i lojtarit kyç në tre Champions-at radhazi, të fituar nga Real Madridi, është ajo që e ka shtyrë Interin të hidhet në sulm për kroatin. Në këtë drejtim, nuk diskutohet se zikaltrit janë frymëzuar edhe nga precedenti “Cristiano Ronaldo”, që po kësaj vere la “Los Blancos” dhe u transferua te Juventusi. Agjentët e Modric e hapën derën e kalimit të mundshëm të Modric tek Interi pikërisht duke ndjekur gjurmët e CR7 drejt Seria A.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb