Aktorja italiane, Monica Bellucci përgënjeshtroi sot dyshimet për deklarim të rremë në organet tatimore që rëndojnë mbi të, duke denoncuar informacionet si keqdashëse dhe të qëllimshme.

“I përgënjeshtroj informacionet sa keqdashëse aq edhe qëllimisht të pavërteta të shpërndara nga disa media në lidhje me situatën time fiskale”, – njoftoi aktorja në një deklaratë, pas një artikulli të “Mediapart”, ku thuhej se administrata tatimore franceze i kishte kërkuar autoriteteve zvicerane të dhëna bankare në lidhje me pasuritë e aktores në Zvicër.

“Edhe pse aktivitetet e mia profesionale i ushtroj kryesisht jashtë Francës, kam zgjedhur si vendbanim Francën. Në këtë kuptim, unë i paguaj taksat në Francë”, – u shpreh Bellucci, shkruan atsh.

“Në kontrollin e fundit rreth situatës time fiskale, i kam përcjellë organeve franceze tatimore të gjithë elementët e kërkuara dhe të nevojshme informuese për të zgjidhur këtë çështje. Jam plotësisht e përditësuar për detyrimet e mia kundrejt Francës”, – shtoi ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb