TIRANE- Gjykata e Lartë ka shpallur mos kompetencë për akuzat e mos deklarimit të pasurisë të deputetit Tom Doshi. Çështja do t’i kalojë tani Gjykatës për Krimet e Rënda.

Po kështu edhe për çështjen tjetër “Doshi-Frroku-Bami”, që e dyshon për kallëzim të rremë, Gjykata e Lartë shpalli mos-kompetencë disa ditë më parë.

Pak muaj më parë, qershor 2017, prokuroria nuk mundi të provojë qëndrimin e ILDKPI se deputeti ka fshehur 23 milionë euro. Pasuritë që Doshi nuk ka deklaruar janë automjete e pasuri të patundshme, thonë prokurorët.

DOSJA “DOSHI 2”
Kujtojmë se ILDKPI ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për deputetin Tom Doshi, i cili akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Bëhet fjalë për një shumë, që sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, shkon deri në 23 milionë euro. Shkeljet, sipas ILDKP-së, janë kryer nga viti 2005 deri në vitin 2014.

ILDKPKI ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara duke insistuar që hetimet të shtrihen më tej për të parë nëse ka ndonjë shkelje tjetër.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Tom Doshi, me funksion Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën kohore 2005–2014, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: