TIRANE – Pas ndarjes nga jeta të aktivistit të shquar nga Kosova, Adem Demaçi, në moshën 82-vjeçare, politika shqiptare ka shprehur ngushëllimet.

Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i PD, Lulzim Basha apo dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shprehën keqardhje për këtë humbje.

“Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi.
Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri dhe të një prej personaliteteve më të vlerësuara në arenën botërore.
Duke u nderuar me çmimin “Sakharov” nga Parlamenti Evropian, kauza e madhe e luftës për një Kosovë të lirë fitoi përmasat e një çështjeje ndërkombëtare të shtruar për zgjidhje.
Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Sot humbëm atdhetarin e flaktë, njeriun që mbajti gjallë shpresën e së ardhmes dhe idealin e pavarësisë së Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!,” shkruan Meta.

Statusi i Ramës

“Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë?Pas një jete prej stuhie pambarim, ai u tret ngadalë e iku si zotnia që i tha të gjitha Respekt.”

Statusi i Bashës

“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, Mandelës së Kosovës.
Sot gjithë kombi mban zi sepse humbi një ndër njerëzit që me sakrificën, fisnikërinë dhe mendimin e tyre përbëjnë shtylla që mbajnë peshën e krenarisë kombëtare.
Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Demaçi, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe gjithë popullit të Kosovës, për këtë humbje të madhe.
Adem Demaçi si një ndër simbolet e qëndresës kombëtare, mbetet përherë në kujtesën e kombit që përkulet me mirënjohje të thellë para sakrificës dhe kontributit të tij të pavdekshëm për Kosovën”.

Statusi i Kryemadhit 

Më trishtoi e mbushi me hidhërim e dhembje ndarja nga jeta e Adem Demaçit – monument i qëndresës shqiptare në Kosovë, frymëzimi i tre brezave të atdhetarëve shqiptarë në luftën për liri në ish-Jugosllavi: i Brezit 1968, i Brezit 1981 dhe i Brezit 1998.

Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet simboli i flijimit për liri mendimi e të drejta qytetare, njeriu që i priu luftës që ndezi shpresën dhe besimin në idealin e pavarësisë së Kosovës, duke u bërë referencë atdhetarie e përkushtimi për çështjen kombëtare.

Ai jetoi e luftoi si një kundërshtar i së keqes dhe do të mbetet kryeshenjë e pērballjes ngadhnjyese me të.

I ndrittë shpirti dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të cilës dha gjithçka!

Ngushëllime familjes i ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi : “Adem Demaçi, tribun popullor, vigan i lirisë. Na dha forcën për të luftuar për lirinë. Na dha kurajon për t’i rezistuar të keqes. Na dha vizionin për të ndriçuar të ardhmen. Na dha talentin për të ndërtuar Kosovën e lirë. Ademi na dha mençurinë e tolerancën për të falur”.

Lajmin për vdekjen e Demacit ka bërë të ditur nënkryetari i kuvendit të Kosovë Xhavit Haliti, gjatë seancës ku ishte duke u diskutuar për dialogun me Serbinë.

“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë, por vepra e tij do të lartësohet e të kujtohet për sa të ketë jetë”- ka thënë Haliti.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: