Shefi i Grupit Parlamentar të partisë opozitare “Dveri”, në Kuvendin e Serbisë, Boshko Obradoviç, tha sot se procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës përfundon muajt e ardhshëm me nënshkrimin e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe njohjen e Kosovës.

Ai këtë deklaratë e bëri, duke sugjeruar se kreu shtetëror i Serbisë, përpara bisedimeve përfundimtare, do të duhej të thërrasë misionin ushtarak rus në Serbi. Obradoviç, në një konferencë shtypi në Parlamentin e Serbisë, siç raportojnë mediat e Beogradit, vlerësoi se udhëheqja shtetit të Serbisë duhet ta thërras misionin ushtarak të Rusisë që të qëndrojë në Serbi për aq kohë sa misioni i NATO-s të jetë në Kosovë, çka do të garantonte siguri për të gjithë qytetarët e Serbisë, shkruan express.

Sipas Obradoviçit, partia e tij “Dveri” para një muaji kanë dërguar këtë iniciativë konstruktive, “por udhëheqja e shtetit serb po hesht”. “Nëse duam që në mënyrën më të mirë ta zgjidhim çështjen e Kosovës dhe të forcojmë pozicionin negociues – ne kemi një zgjidhje: kur NATO të tërhiqet nga Kosova, atëherë të tërhiqet Rusia nga Serbia”, thotë Obradoviç.

Lideri i partisë opozitare ka konkluduar se “‘rusofilët e mëdhenj dhe patriotët’ në krye të Serbisë nuk guxojnë të tërheqin një lëvizje të tillë, për shkak se dikujt tjetër në anën tjetër të botës, i kanë dhënë premtimin e gjashtë vjet më parë, kur erdhën në pushtet”. “Në muajt e ardhshëm ky proces do të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me shtetin e ‘rremë’ të Kosovës dhe njohjen e tij”, tha Obradoviq, duke shtuar se në krye të Serbisë është një “President i shantazhuar”.

“Nëse kjo nuk është e vërtetë, le të dalë publikisht Aleksandar Vuçiç dhe le të thotë se ai kurrë nuk do të nënshkruajë marrëveshjen dhe t’i japë Kosovës një ulëse në Kombet e Bashkuara”, tha Obradoviç, duke konstatuar se “Vuçiç për këtë arsye po hesht, por nesër përsëri shkon në Bruksel për bisedime”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: