FIER– Dy ditë pasi 42-vjeçarja Rudina Kishta nga Fieri dogji shtëpinë e bashkëjetuesit dhe tentoi të mbyste vajzat e saj binjake në lumë, djali që i shpëtoi të miturat ka treguar ngjarjen e rëndë.

Në një intervistë për “BalkanWeb” me gazetarin Ervis Kuci, ‘heroi’ Ardimir Murataj ka treguar se nëna po tentonte të mbyste vajzat dhe veten, ndërsa ai është hedhur në lumë me një person tjetër për t’i shpëtuar.

Djali tregon se njërën nga vajzat 6-vjecare e ka nxjerrë nga uji pa ndjenja dhe i ka bërë frymëmarrje artificiale, ndërsa nëna monstër tentoi t’i mbyste me thonj vajzat e saj pasi ato kanë dalë nga uji.

Si e përjetuat atë moment?
Unë isha duke peshkuar në lumë dhe shoh një grua me dy fëmijë që vjen në krahun tjetër të urës matanë. Duke kaluar avash avash u hodh direkt në lumë, njërën vajzë e kishte në krah dhe tjetrën e kapi për flokësh dhe filloi t’i zhysë. Unë kam shkuar me vrap dhe u zhyta me kokë për të kaluar në krahun matënë, ku thellësia mund të jetë më shumë se tre metra. Kam ecur me not dhe i kam hequr një gocë nga duart, ndërsa gocën tjetër e kishte kapur për flokësh dhe ka ikur pak larg. Kam ardhur me not dhe pashë që goca ishte e mbytur komplet. I kam bërë frymëmarrje artificiale, pasi e nxora nga uji dhe i shpëtova. Më pas ka reaguar edhe një peshkatar i komunitetit rom ku ka shpëtuar gruan. Pasi doli gruaja donte t’i mbyste fëmijët me thonj. Ne lajmëruam policinë dhe gruaja sërish tentoi të mbyste fëmijët edhe në sy të policisë. Jam i lumtur që shpëtova dy ëngjëj. Nuk e ndiej veten hero, mund ta bënte gjithkush.

Gruaja donte të mbytej edhe vetë?
Po normale donte të mbytej bashkë më vajzat. Ajo u zhyt me dy fëmijët prapë.

Dëgjuat të thoshte ndonjë gjë?
Jo nuk dëgjova asgjë. Ajo thoshte fëmijët janë të mitë dhe do bëj çfarë të dua. Më lini se do i mbys. Ato ishin dy engjëj dhe ishin shumë të bukura.

Vetë vajzat kërkonin ndihmë?
Ato po qanin dhe thoshin mos më largoni nga mami. Duam mamin.

Ju si u ndjetë që patë këtë skenë?
U ndjeva i shokuar. Të shohësh dy engjëj që mbyten…

Ju për çfarë vini këtu?
Thjesht për të peshkuar sepse jam i papunë.

Çfarë deklaroi dje nëna në gjykatë:
Rudina Kishta pranoi dje nga gjykata e Fierit se kishte djegur shtëpinë e bashkëjetuesit të saj, pasi ai e dhunonte. Pasi iu caktua masa e sigurisë ‘arrest me burg’ Rudina pohoi para gazetarëve se prej 6 muajsh jetonte në kushte të vështira. Po ashtu ajo pranoi edhe tentativën për mbytjen e dy vajzave të mitura në lumë, ndërsa habiti me deklaratën e saj ndërsa tha se; “vajzat do i mbysja, se të mijat janë”. Këtë veprim 42-vjeçarja e ka kryer pasi ka djegur shtëpinë. “Kam 6 muaj qe jetoj në kushte të vështira dhe bashkëjetuesi ishte i dhunshëm dhe pinte”, tha ajo, ndërsa gjykata caktoi ndaj saj masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb