Për Neymar është folur shumë gjatë Botërorit, por tani që angazhimi me kombëtaret mbaroi për brazilianin janë kthyer zërat e merkatos.

Të shumtë ishin ata që mendonin se 26-vjeçari do të ishte zëvendësuesi i Cristiano Ronaldo-s te Real Madrid, por në një intervistë për “Fox Sport” vetë futbollisti e ka mohuar kategorikisht këtë lëvizje.

Madje pak ditë më parë ishte Real Madrid që me anë të një komunikate zyrtare sqaroi se nuk është e interesuar për brazilianin, as tani e as në të ardhmen.

Kjo sa i takon së ardhmes, por Neymar në intervistën e tij ka komentuar edhe largimin e Ronaldos nga Real Madrid drejt Juventusit. O’Ney shprehet se portugezi do t’i rikthejë shkëlqimin “Seria A”, atë shkëlqim që ai e mban mend kur ishte i vogël dhe kur futbolli europian dominohej nga Milan, Inter dhe Juventus.

“Largimi i Cristiano Ronaldos për te Juventusi do të ndryshojë futbollin italian. Do të jetë sërish futboll Italian, që kam parë kur isha fëmijë. Cristiano është një lojtar i madh, është një legjendë e futbollit, një gjeni, kështu që ne duhet ta respektojmë atë,”-deklaroi futbollisti i Paris SG.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb