Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, ka folur sot para mediave për ndeshjen që zikaltërit do të luajë nesër kundër Sassuolo-s, e para në kampionatin italian për sezonin e ri.

Siç pritej në këtë intervistë të parë, Spalletti, nuk ka folur vetëm për këtë takim, por edhe për çështje të tjera siç është merkato apo pretendentët për titull.

“Klubi ka bërë një punë të shkëlqyeshme në merkato, ndërsa tifozët kanë qenë edhe më të mirë, ata na kanë mbështetur kudo. Jemi të kënaqur me gjithçka, por tani është koha për të shkuar në ndeshjet tona,”-tha fillimisht trajneri italian.

“Ne duhet që të tentojmë të fitojmë të gjitha ndeshjet, duhet këmbëngulje dhe vazhdueshmëri. Vijmë pas një kampionati të rëndësishëm, e këtë vit kemi detyrë të përmirësohemi. E donim këtë biçikletë, tani të pedalojmë siç duhet.”

Tekniku u ndal te rivali i parë.

“Sassuolo është një kundërshtar i fortë, e kemi parë në ‘San Siro’ së fundmi. E dimë forcën e kësaj skuadre. Por ne duhet të jemi të mirë kolauduar, nuk na duhen teste të tjera. Duhet të jemi gati të fitojmë të gjitha takimet. Gjendja e ekipit është e mirë. Kemi bërë çfarë duhej që të bëhej. Mund të tentojmë të fitojmë ndaj çdo rivali. A kam ekip më të fortë se viti i shkuar? Po, veç afrimeve, kam një ekip që e njeh më mirë veten.

I pyetur nëse Interi i tij është skuadra që mund të thyeje Juven, Spalleti përgjigjet:

“Duhet të luftojmë, vetëm nëse doni t’ia jepni titullin Juves pa luajtur ende. Ka ekipe që mund ta fitojnë titullin. Të gjithë jemi përmirësuar. Juvja është ekipi më i fortë nga të gjithë, pastaj janë 5 ekipe që mund të luftojnë deri në fund. Ne jemi ndër këto të pesta, Inter, Roma, Napoli, Lazio e Milan.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb