TIRANE- Java që lamë pas është shoqëruar me debate të forta politike. Edhe më i nxehtë debati ka qenë në sallën e seancave plenare, ku deputetët e opozitës janë larguar, duke bërë të pamundur votimin e projektligjit për Magjistratët. Debate ka patur edhe sa i takon situatës ekonomike në vend dhe punësimit, dhe me sa duket, kjo gjë ka qenë edhe arsyeja pse ministri i Financave Arben Ahmetaj ka dalë para foltores së Kuvendit me një tufë të madhe letrash në duar.

Ky moment, dhe shumë të tjerë, të fiksuar nga objektivi i kameras, janë bërë pjesë e rubrikës humoristike të kësaj jave, në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”.

Përpos tensionit dhe debateve, seancës plenare të së enjtes që lamë pas nuk i kanë munguar as batutat mes deputetëve dhe përfaqësuesve të qeverisë. Në një moment, kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar shihen teksa kanë shpërthyer në të qeshura.

“Po ulu, o ulu, se po të qesh gjithë bota. Goxha burrë, ulu aty”, ka thënë mes të qeshurave, kryeministri Rama.

Por pas këtij momenti, kanë filluar sërish debatet, dhe kryeministri Rama është shfaqur jo pak i tensionuar gjatë zhvillimit të seancës.

Përtej seancës, jeta politike e javës që po lëmë pas, ka vijuar të shoqërohet me debate lidhur me ligjin për teatrin e ri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb