HELSINKI- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, nisën takimin në Helsinki.

Trump e përgëzoi Putinin për organizimin e suksesshëm të Kampionatit Botëror të Futbollit, përpara se të përvijonte disa nga temat që do të prekin gjatë bisedimeve.

“Dua t’ju përgëzoj për një Kampionat vërtet të mirë, një nga më të mirët”, tha Trump, duke shtuar se me Putinin do të diskutojë për “gjithçka”, nga tregtia deri te Kina.

Ai tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me “marrëdhënie të jashtëzakonshme” dhe se “bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”.

Është ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Përpara takimit, Trump tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb