SHKODER – Pamje të reja nga shpërthimi me tritol që tronditi sot qytetin e Shkodrës janë zbuluar nga televizioni lokal Rozafa.

Në këto pamje mund të shihen momentet vetëm pak sekonda pas shpërthimit në lagjen “Partiazani” nga i cili mbetën të plagosur 8 vetë.

Njerëz që vrapojnë për t’iu larguar vendngjarjes apo edhe persona të gjakosur shihen në këtë video.

Objektiv i atentatit ishte biznesmeni i njohur në Shkodër, 43-vjeçari Lulzim Kulla. Atentatorët e kishin mirëorganizuar sulmin dhe dyshohet se paraprakisht monitoronin çdo lëvizje të Kullës.

Autorët kishin gjetur mundësinë që sasinë prej 400 gramë tritol ta vendosnin në pjesën e motorit të mjetit tip “Fuoristradë” me targa AA 444 PX, me të cilën lëvizte Kulla. Sapo biznesmeni po hipte në makinën e tij çdo gjë shpërtheu në flakë, ndërsa 43-vjeçari përfundoi disa metra më tutje i plagosur rëndë.

Ngjarja mund të kishte pasoja fatale pasi zona është tepër e populluar në atë orë të ditës. Shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar dyqanet në ndërtesën dykatëshe pranë së cilës ndodhej makina, duke iu shkatërruar dyert dhe xhamat. Banorët tregojnë panikun që përjetuan ato momente.

Mësohet se në lagjen “Partizani”, aty ku ndodhi shpërthimi, Kulla zotëronte një dyqan, të cilin e kishte lënë me qira. Biznesmeni rezulton një emër i skeduar në polici dhe i njohur në qytet si “i forti i Shkodrës”, me precedentë të theksuar kriminalë dhe të shkuar të errët.

 

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: