TIRANE– Kur opozita kërkoi dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Brendshëm pas publikimit të audiopërgjimit ku pretendohet se është vëllai i tij që flet me trafikantë droge, Fatmir Xhafaj deklaroi se do të vijojë të mbajë këtë detyrë për të vazhduar misionin që ka marrë përsipër. Në konferencën e jashtëzakonshme me gazetarët Xhafaj tha se nuk ka frikë nga shantazhet.

“E kuptoj, që shumë janë të frikësuar nga çfarë po ndodh me reformën në drejtësi dhe me punën dhe rezultatet që po arrin Policia e Shtetit. Por, dua t’i garantojë të gjithë këta, se edhe nëse unë dje do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, nga kolegë dhe bashkëpunëtorë të mi, nga partnerët ndërkombëtarë, nuk mundet të zhbëhet. Shumë shpejt edhe SPAK e BKH do të jenë në funksionim. Kështu, gjithnjë e më shumë, krimi do të humbas terren. Unë jam këtu për ta përmbushur sa më mirë këtë mision që kam marrë përsipër. Dje si ideues dhe drejtues i procesit të Reformës në Drejtësi dhe sot si Ministër i Brendshëm.

Nëse mendoni të më mposhtni me sulmet tuaja, gaboni. Thjesht nuk kam frikë ! Askush nuk mund të më shantazhojë. Askush nuk do të mund të më pengojë në arritjen e qëllimeve të larta, të asaj çfarë kam marrë përsipër të bëj sa bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe me mbështetjen e partnerëve: luftë pa kompromis me krimin, gjithmonë në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe vetëm të qytetarëve. Këtyre të fundit u jam shumë mirënjohës për mesazhet e shumta mbështetëse dhe inkurajuese që kam marrë prej tyre këto ditë”, pohoi Xhafaj
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: