Valentina Madani – Orjola Pampuri, deputetja e PD-së zbardh strategjinë e opozitës për rrëzimin e qeverisë përmes protestave të pandalshme deri në arritjen e qëllimit final. Pampuri thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita nuk do ta ndalë aksionin e saj kundër lidhjeve të qeverisë me krimin dhe se nuk mund të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Deputetja demokrate flet edhe për hapat e mëtejshëm të opozitës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, për të cilin shprehet se rruga më e drejtë do të ishte një referendum, siç ndodh në të gjitha vendet demokratike. Ajo akuzon kreun e qeverisë se ende ruan simbolet komuniste të diktaturës, ndërsa po shkatërron ato të kulturës. Në betejën kundër qeverisë, PD-ja është bashkë me LSI-në, ndaj Oriola Pampuri nuk përjashton edhe mundësinë e një koalicioni mes dy partive opozitare për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Zj.Pampuri, me shtyrjen e negociatave për vitin e ardhshëm, Shqipëria njëherësh u ndëshkua, por edhe u përgëzua… U përgëzua për rezultatet e arritura, por kërkohen rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të ecur përpara në reformën në drejtësi. Por realisht, kur besoni se Shqipërisë do t’i hapen negociatat me BE-në?
Unë nuk dua të jem cinike, por në rastin konkret me moshapjen e negociatave, Shqipëria u ndëshkua. Nuk shoh asnjë arsye për përgëzim në një rast të tillë. Kishte muaj që kryeministri Rama dhe ministrat e tij trumbetonin 28 qershorin, ditën kur do të kurorëzohej suksesi i punës së tyre. Por ja që 28 qershori ishte asgjë më shumë dhe veçse një shuplakë për qeverinë nga Këshilli i Europës. Mundeshim ne të pretendonim hapjen e negociatave kur qeveria “Rama” nuk bëri asnjë përçapje për plotësimin e 5 kushteve që KE i vendosi për të plotësuar. Nuk kishte asnjë hap përpara as për reformën në drejtësi, as për reformën në administratë, as për korrupsionin e krimin e organizuar, as për të drejtat e njeriut. Europa nuk mund të pranojë vende në të cilat prevalon, krimi, droga, banda e përfshirja e ministrave dhe e ish-ministrave me mbështetjen e kryeministrit në të gjitha këto problematika.

A është e gatshme PD-ja të bashkëpunojë me mazhorancën për përmbushjen e kushteve të mbetura për integrimin e vendit?
Opozita është e gatshme të denoncojë e të mos lejojë më asnjë aferë korruptive të kësaj qeverie. Opozita është e gatshme të mos lejojë që ky vend të bëjë hapa prapa. Të gjitha reformat që u plotësuan për arritjen e hapjes së vizave dhe përfshirjen e Shqipërisë në NATO nuk mund t’i zhbëjnë disa individë, që sot e kanë marrë peng vendin e po e shndërrojnë atë me vendin më të varfër e me problematik të Europës. Nuk mund të ketë më asnjë bashkëpunim me krimin dhe bandat që bashkëpunon kjo qeveri. 5 vite ishin mjaftueshëm që kjo qeveri të plotësonte të paktën njërin prej kushteve të KE, e jo që nuk e bëri, por vijon me idetë e veprimet destruktive në interes të bashkëpunimit të ngushtë me miqtë biznesmenë mes të cilëve ndahen qindra miliona euro në kurriz të këtij vendi e qytetarëve të këtij vendi.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka paralajmëruar rrëzimin e qeverisë para hapjes së negociatave, por cilat janë forma dhe mënyra për të larguar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama?
Unë me keqardhje besoj që Edi Rama nuk e do hapjen e negociatave, pasi një gjë e tillë do të penalizonte vijueshmërinë e aferave korruptive të tij. Me këto ritme ku çdo ditë zbulohet nga një plan për shpërdorim buxheti nëpërmjet PPP, koncesione, kulla e kapen tonelata droge, para nga shitja e drogës që transportohen sa nga një makinë në tjetrën, unë jam skeptike që negociatat do të diskutohen edhe në 2019-ën. Ndaj, e vetmja mënyrë që ky popull të shpëtojë një herë e mirë nga kjo varfëri e kjo zgjedhë barbarësh që i ka pushtuar, është largimi i Edi Ramës, si mënyra më e mirë që për këtë komb të nisë një erë e re. Ndaj, protestat e pandalura të qytetarëve, vendosmëria e opozitës për t’i shkuar deri në fund kësaj kauze, do të jenë hapi radhës kundrejt kësaj qeverie totalisht të korruptuar. Tashmë kauza e opozitës nuk do të jetë më as varfëria, as droga, as bandat, as trafiqet, as teatri, por të gjitha këto të përmbledhura nën një emër të vetëm, Edi Rama.

Konkretisht, cila është strategjia e opozitës për largimin e qeverisë, përmes zgjedhjeve të parakohshme?
Opozita nuk mund të hyjë në zgjedhje me një kryeministër, i cili përpos të gjitha bëmave, paratë e drogës do i përdorë siç i përdori në 25 qershor të 2017, për të blerë votën. Zgjedhje të tilla nuk do të ketë më, ashtu sikurse Edi Rama nuk mund të vijojë më punën e tij si kryeministër. Kjo do të jetë kauza e opozitës, për zgjedhje të lira e legjitime. Nuk ka parlament legjitim me vota të blera.

Cili do të jetë hapi i parë i Intensifikimit të aksionit opozitar kundër qeverisë?
Detajet do të bëhen të ditura në javët në vijim, por tashmë aksioni qytetar e opozitar nuk do të ndalet.

A do lejojë opozita që Arta Marku nga kryeprokurore e përkohshme, të bëhet kryeprokurore e përhershme?
Arta Marku nuk e kalon vetingun, pasi me ndihmën e saj e të kryeministrit, vetingu e reforma ne drejtësi ka ngecur e po bëhet e njëanshme. Zgjedhja e saj në detyrë ishte antikushtetuese, puna për kapjen e “peshqve të mëdhenj” dështoi me ndihmën e saj në bazë të urdhrave të kryeministrit. Pra, Arta Marku ngel në veting për moszbatim detyre dhe për opozitën e për këdo që beson në një sistem gjyqësor të pastër, nuk mund të jetë ajo në krye të atij institucioni.

Z.Basha ka paralajmëruar protesta për të bllokuar projektin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, ndërsa i ka bërë thirrje Presidentit Meta që të vendosë pengojë ligjin e miratuar në Kuvend për shembjen e Teatrit. Cila do të ishte zgjidhja më e drejtë?
Miratimi i ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar ishte një nder vendimet më të paskrupullta që ndërmori kjo qeveri, duke përdorur si marionetë deputetët e saj. Ishte një vendim korruptiv, diktatorial dhe i paprecedent. Të shembësh tempuj të tillë do të thotë të urresh kulturën e kombit tënd, të kesh çrregullime destruktive, të cilat të nxisin të fshish të bukurën e së kaluarës së vendit tënd, kulturën e vendit tënd. Teatri është i artistëve dhe qytetarëve, ndaj e vetmja mënyrë për një vendim të drejtë mund të ishte referendumi, siç do të ndodhte në vende të tjera demokratike. Por me këtë akt tregoi edhe një herë dëshirën e madhe që ka ky kryeministër për të ruajtur simbolet komuniste si Piramida, ‘Bunkart’, ‘Shtëpia me Gjethe’ etj., dhe për të shkatërruar simbolet e kulturës e së bukurës siç është teatri, i cili edhe në 50 vite diktaturë, në ato momente që kalonim brenda mureve të tij na bënte të harronim terrin që ishte jashtë.

Si do të reagojë më tej opozita lidhur me këtë çështje?
Ky ishte akti të cilin nuk do ia falin qytetarët dhe opozita krah tyre. Frika për të shpëlarë komionët me para të drogës që transporton anë e kënd botës ia ka errësuar ndërgjegjen e s’di çfarë bën, i vetmi shpëtim për shpëlarjen e tyre është lavatriçja e madhe e kullave.
Në këtë betejë PD-ja është bashkë me LSI-në kundër qeverisë, por a do ketë një koalicion të përbashkët PD-LSI për zgjedhjet lokale?
Deri tani kemi pasur një aksion opozitar, ku pjesë ka qenë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, si një parti tjetër e opozitës. Për çdo hap të mëtejshëm, ende nuk ka një vendim.

Gsh.al  http://www.gsh.al/2018/07/08/orjola-pampuri-pd-nuk-hyn-ne-zgjedhje-ramen-kryeminister/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: