Pak muaj pasi një grupim i pazakontë politik i udhëhequr nga deputetja Reme Lala- deri sëfundmi nën siglën e PDIU, u përplas fizikisht me zyrtarë të PS-së në zyrat e bashkisë së Dibrës për kontrollin e punësimeve, palët synojnë kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore.

Në shkurt një sherr me shkopa bejzbolli dhe shufra hekuri, prej të cilit u lënduan 8 punonjës të bashkisë Dibër, u duk se i dha fund koalicionit mes Partisë Socialiste dhe grupimit vendor politik që pati bërë fushatë nën siglën e PDIU.

Por ndërsa ish-nënkryetari i bashkisë nga ky grupim, Ernolt Cani vijon të jetë në hetim për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës”, grupimi politik nën drejtimin e deputetes Reme Lala bëri një lëvizje “surprizë” dhe pavarësisht sherrit ka vendosur të largohet nga PDIU dhe t’i bashkangjitet PS-së.

Megjithatë njoftimi i Lalës gjatë një prej takimeve për të lajmëruar fillimin e punimeve të Rrugës së Arbrit, një vit pasi u zgjodh depuete nën siglën e PDIU-së se i bashkohej Partisë Socialiste, nuk i ka zbutur tërësisht tensionet lokale.

BIRN mësoi pas disa intervistash me përfaqësues të palëve poltike se ata ishin në negociata për koalicion në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa kërkojnë një kandidat për kryebashkiak që i kënaq të dyja palët.

“Në karrigen e kryebashkiakut duhet të ulet një person i pranuar nga të dyja palët dhe kurrsesi në mënyrë të njëanëshme”, i tha BIRN Shaban Uklala, ish-shefi i personelit në Bashkinë e Dibrës, shkarkimi i të cilit ishte një prej arsyeve për sherrin masiv.

Të tjerë persona folën duke kërkuar të mbeteshin anonimë, ndërsa shpjeguan se situata mes dy palëve ishte diçka mes “dashurisë dhe urrejtjes” dhe se konflikti i shuar mund të rindizej.

Koalicioni jo fort i zakontë mes PS dhe një grupimi politik lokal nën siglën e PDIU, qe një surprizë e zgjedhjeve të parakohshme vendore, të detyruara pas shkarkimit të Shukri Xhelilit, i cili u gjet fajtor për abuzim me detyrën.

Por pak kohë pas zgjedhjeve të përgjithshme koalicioni pati përplasjet e para. Fillimisht Reme Lala- e cila u zgjodh deputete nga lista e PDIU në Dibër, sulmoi kryebashkiakun Muharrem Rama gjatë fjalës në Kuvend duke e cilësuar si pijanec dhe duke thënë se vendimet në interes të familjarëve të tij “ishin të njollosura me yndyrë qoftesh”.

Ndërkohë shkarkimi i Shaban Uklalës, ish-drejtues i burimeve njerëzore në bashkinë e Dibrës dhe përfaqësues i PDIU-së dhe emërimi në vend të tij të Drini Matës (tashmë i larguar), solli përshkallëzim të konfliktit. Përplasja në fillim të shkurtit solli arrestimin e ish-nënkryetarit të bashkisë, Ernolt Cani, i cili akuzohet se drejtoi sulmin ndaj kolegëve socialistë. Palët pranuan atëherë se sherri mes dy palëve në koalicion kishte si motiv kryesor vendet e punës në administratë.

Bashkia Dibër paguan rreth 860 punonjës dhe prej tyre, 271 janë nën varësinë e drejtorisë së burimeve njerëzore. Emërimet në administratë janë një prej mjeteve kryesore elektorale të partive politike në vend, duke qenë se në shumë zona ato janë të vetmet vende të mundshme pune dhe po ashtu hambari kryesor i votave.

Për këtë shkak, përplasja u duk edhe si fillimi i një lufte politike lokale për zgjedhjet e ardhshme. Aleati i “vogël” i PS, i cili tani ka zhveshur veten nga sigla e PDIU, ia doli të ishte forcë e parë në zonën elektorale të bashkisë Dibër në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere, me 2 pikë për qindje më shumë se socialistët dhe nuk e mohon dëshirën për të dalë me një kandidat të tyrin në zgjedhjet lokale të rradhës.

Shaban Uklala nuk i fsheh aspirata e grupit ku bën pjesë. “Ne jemi një grupim i fuqishëm, me një numër të konsiderueshëm votash. Ne nuk kemi patur lidhje antarësimi me PDIU-në, ashtu edhe me PS-në, pranojmë të bashkëpunojmë në zgjedhjet e ardhshme, por duke mbetur një grup më vete, jo të asimilohemi prej saj”, thotë ai.

Sipas Uklalës në Dibër PS-ja vetëm emrin ka si parti e madhe, pasi sipas tij forca e parë është ky grupim për momentin nën emrin e deputetes tashmë të PS-së, Reme Lala. Kjo është praktikisht e qartë edhe për socialistët. BIRN mësoi se për të arritur pajtimin mes dy grupeve u angazhua vetë kryeministri.

Madje një pjesë e fjalës së tij më 17 qershor, ndërsa vizitoi Dibrën për të folur për “Rrugën e Arbrit” është lexuar aty si mesazh për dy grupet rivale. Rama bëri thirrje për “vëllazërim” duke iu referuar Abdyl Frashërit, njërit prej drejtuesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Armët i mbani në krahë fisnikërisht që t’i përdorni për të ngrënë kokat e vëllezërve tuaj!”, citoi Rama ndër të tjera Frashërin sipas dëshmisë prej arbëreshit Anselmo Lorechio. Ndërsa vijoi duke cituar: ”Vëllezër, vetëm po të vëllazëroheni ngushtë me njëri-tjetrin, ju mund të shpëtoni jetën e nënës tuaj të përbashkët, Shqipërisë”.

Reme Lala, e cila mori fjalën pas Ramës në të njëjtin takim, e përdori atë si podium për të shpallur kalimin te PS-ja, ku ajo tha se bashkohej “me më të mirët”. Por as pas kësaj situata nuk duket aq e qartë. Kandidatura për zgjedhjet e ardhshme lokale me gjasë do të përcaktojë nëse koalicioni “i çuditshëm” vendor do të vijojë.

I pyetur për këto negociata kryebashkiaku, Muharrem Rama, i cili arriti me ndihmën e grupit që bënte fushatë nën siglën e PDIU të fitonte thellë zgjedhjet në Dibër, pavarësisht skandalit që çoi në shkarkimin e Shukri Xhelilit, refuzoi të komentonte.

Rama tha se për momentin “nuk ishte nevoja (të flitej)” dhe se “do flasim më vonë”. Pas përplasjes në zyrat e bashkisë në fillim të shkurtit kryebashkiaku e denoncoi grupin duke thënë se, “nuk kemi të bëjmë me një parti politike, por me një bandë horrash”.

Edhe i hetuari për sherrin në bashki Ernolt Cani refuzoi të komentonte, duke thënë se po priste përfundimin e hetimeve./Nga Hysen Likdisha, BIRN/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb