Nga: ZONJA KATERINA
800 gr mish i grirë
6-8 patëllxhanë
1 qepë, 2-3 thelpinj hudhër
2 speca (1 i kuq, 1 jeshil)
2 kokrra domate
1 lgj salcë domate
1 lgj salcë speci
1 gotë buljon perimesh
4 lgj vaj ulliri
1 lgj gjalpë
Kripë, piper, majdanoz

Fillimisht grijmë shumë imët specin e kuq, specin jeshil, qepën dhe majdanozin. I bashkojmë perimet me mishin e grirë duke shtuar 1 lugë vaj ulliri, kripë dhe piper të zi. E punojmë mirë brumin njësoj siç veprojmë me brumin e qofteve dhe e lemë në frigorifer të pushojë për minimalisht 30 minuta. Më pas realizojmë qofte të vogla.

Presim patëllxhanët në feta rrumbullake me trashësi 1 cm e gjysëm. Në një tavë të lyer me pak vaj vendosim në rradhë një fetë patëllxhan, një qofte, një fetë patëllxhan, një qofte. Presim domatet në copëza dhe i shtojmë së bashku me specin djegës dhe hudhrat në tavë.

Në një tigan me vaj ulliri dhe gjalpë kaurdisim salcën e domates dhe salcën e specit . Sapo salca të marrë valë shtojmë buljonin e perimeve dhe më pas salcën e përgatitur e vendosim mbi perimet në tavë. E mbulojmë tavën me letër alumini dhe e vendosim në furrë në temperaturën 180-200 gradë Celsius për 30 minuta. Më pas largojmë letrën e aluminit dhe e rivendosim përsëri tavën në furrë dhe për 30 minuta të tjera.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb