SKRAPAR- Mijëra pelegrinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe gjithë bota do të udhëtojnë gjatë këtyre ditëve drejt malit të shenjtë të Tomorrit, ku besimtarët bektashinj do të kremtojnë festën e tyre të përvitshme.

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mësohet se do të hapë nesër dyert e Teqesë së Kulmakut, ku përqendrohen të gjitha ritet dhe faljet e festës, ndërkohë që festa do të zgjasë nga 19 gushti, deri në datë 25.

Nga ana tjetër për të shmangur numrin e aksidenteve, por edhe për të parandaluar ngjarjet kriminale, Drejtoria vendore e Policisë Berat do të zbatojë një plan të detajuar masash.

MASAT E POLICISE
Masat e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”, nga data 19.08.2018-25.08.2018
Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, në bazë të një plani të detajuar masash, janë angazhuar plotësisht me qëllim, sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë dhe në zonat turistike, gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”.
Në kuadër të masave të marra për zhvillimin e pelegrinazhit, do të bashkëpunohet me Organet e Pushtetit Vendor, P.M.N.Z.SH, Spitalin Rajonal Berat si dhe me Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjëve.
Shërbimet e policisë më të përqendruara do të jenë përgjatë akseve rrugore:
1. Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj–Teqe.
2. Poliçan -Çorovodë.
3. Çorovodë-Gjerbës–Teqe e Kulmakut, pika të tjera që do të vendosen si dhe në territorin ku zhvillohet aktiviteti i pelegrinazhit.

Do të rritet prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore në akset kryesore, për përballimin e fluksit të automjeteve, orientimin dhe marrjen e masave ndaj përdoruesve të rrugës me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve gjatë periudhës së pelegrinazhit për në “Malin e Tomorrit”.
Janë marrë të gjitha masat për bllokimin e mjeteve të tonazhit të lartë si dhe janë vendosur tabela kufizuese për mjetet mbi 3.5 ton, gjithashtu janë marrë masa dhe për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të Personaliteteve të Larta Shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve.

Këshillohen të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke evituar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, gjithashtu për drejtuesit e autoveturave këshillojmë se rruga më e përshtatëshme për tu ngjitur në Malin e Tomorit është aksi Poliçan-Çorovodë-Gjerbës-Teqe.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor.
Të gjithë qytetarët të cilët do të ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë në numrin 129, 112 të Policisë së Shtetit.
Policia e Beratit ju uron një pelegrinazh të mbarë!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb