TIRANË- Nga salla e hartave në Kryeministri sot kanë ardhur dëshmi të ndryshme të njerëzve që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre në platformën e bashkëqeverisjes. Por dëshmia më prekëse ishte ajo e një 17-vjeçari nga Hasi.

Nisi si dëshmi e suksesit të zyrës së bashkëqeverisjes që i kishte gjetur punë minorenit për të mbajtur familjen e tij, nënën dhe 4 motrat por më pas, u kthye në një lutje. Samuel Shatri edhe pse një adoleshent prej vdekjes së babait mbante mbarrën e familjes.

Samueli 2

Ai i ishte drejtuar platformës së bashkëqeverisjes për punësim pasi familja e tij, jetonte në kushte të vështira. Shërbimi Kombëtar i punësimit në bashkëpunim me zyrën e bashkëqeverisjes shqyrtoi të gjitha mundësitë për të gjetur një mundësi sa më të shpejtë dhe për 10 ditë Samueli u punësua në një kompani që po bën rrugën rurale në zonën ku banon.

Por përveç punës edhe pse jo në moshë madhore për të punuar, Samueli dëshmoi se ata ishin të pastrehë. Aktualisht jetonin në shtëpinë e xhaxhallarëve dhe shtëpia ishte gati duke u shembur. Duke treguar vuajtjet e tij, 17-vjeçari nuk ka mundur t’i mbajë lotët dhe e ka ndërprerë rrëfimin me një lutje për kryeministrin.

Samueli 3

“Zoti kryeministër, ju kam drejtuar një kërkesë në zyrën e bashkëqeverisjes dhe më jeni përgjigjur shumë shpejt. Në datë 20 kam filluar punë. Unë jam 17 vjeç, babi më ka vdekur në muajin shkurt. Më ka rënë një barrë e rëndë. Zoti kryeministër duhet të shohësh rastin tim. Kam nevojë për mbështetjen e tij. Nuk është problemi që vetëm unë të punësohem. Kam edhe 2 motrat më të mëdha edhe mamin që është e aftë për punë por edhe strehimi. Është një gjë që e kërkoj që kur sepse shtëpia ku jetojmë është e xhaxhallarëve. Vitin e kaluar kam qëndruar një muaj në një çadër, në shi por është e prishur. Kjo barrë që më ka rënë prej 4-5 muajsh është shumë e rëndë. Nuk ia dija as babait sepse doja vetëm të dilja të shëtisja me shokët. Këtë gjë e kuptova pas vdekjes së tij. Kërkoj vetëm strehim nga kryeministri Rama sepse shtëpia mund të shembet nga dita në ditë. Nuk është as e imja…”, tha mes lotësh Samueli.

Ndërkohë pas tij, kryeministri Edi Rama tha se rasti i Samuelit nuk është një rast i izoluar por se strehimi është përgjegjësi e pushtetit vendor. Gjithsesi Rama tha se kjo nuk është një shmangie e përgjegjësisë për të adresuar rastin. Kryeministri ftoi qytetarët që duan të punojnë t’i drejtohen zyrës së bashkëqeverisjes.

“Rasti i Samuelit është një rast jo i izoluar por është një nga ato raste për të cilat patjetër që ne jemi shumë të angazhuar që t’i adresojmë por sigurisht kemi dhe ne kufizimet tona. Për shembull kur vjen fjala tek strehimi kjo është një temë ekskluzivisht e pushtetit vendor. Por thënë kjo, nuk dua në asnjë mënyrë që të heq nga vetja përgjegjësinë për të bërë përpjekjen e duhur dhe për të adresuar këtë rast konkret, ndërkohë që ajo që vlen të theksohet në dëshminë e Samuelit është se menjëherë kërkesës së tij për punë, duke pasur parasysh jo thjesht mundësitë fizike por edhe kualifikimin e munguar në këtë fazë të jetës së tij ne ju përgjigjëm dhe shfrytëzoj momentin për t’iu bërë thirrje të gjithë atyre që duan të punojnë dhe nuk e kanë kushtin o punë shteti o s’ka, që t’i drejtohen zyrës së bashkëqeverisjes ashtu sikundër mund t’i drejtohen drejtpërdrejt edhe zyrës së punës në zonën e tyre sepse jemi në një fazë të re të ecurisë së zyrave të punës dhe kemi çdo muaj qindra raste të zgjidhura”, u shpreh Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb