Në “Historinë e Diplomacisë Shqiptare”, në arkivat e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjenden online dhe dokumentet e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve, në vitin 1920.

Anëtarësia në organizatën e Lidhjes së Kombeve shënon fillesat e diplomacisë shumëpalëshe për shtetin shqiptar. Delegacioni shqiptar mbajti gjithmonë një qëndrim aktiv dhe progresist në këtë organizatë, e kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve kudo ku ato ndodheshin.

Qeveria shqiptare e konsideroi anëtarësimin në këtë organizatë si garanci për një trajtim më të drejtë të statusit dhe kufijve të Shqipërisë në tryezat vendimmarrëse të Fuqive të Mëdha. Ajo shfrytëzoi faktin që më 15 nëntor 1920 do të hapej sesioni i parë i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjeneve të Zvicrës.

Më 12 tetor, kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, Pandeli Evangjeli, i drejtoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummond, në të cilën në emër të popullit shqiptar i kërkoi që Shqipëria të pranohej anëtare në Lidhjen e Kombeve, dhe të merrte pjesë në Asamblenë e madhe që do të hapej me 15 nëntor.

Periudha 12 tetor 1920 deri më 17 dhjetor 1920, kur Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, ishte e mbushur me një punë intensive diplomatike të qeverisë shqiptare dhe delegacioneve të saj në Paris e Gjenevë, dhe e mbështetur nga miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku spikat deputeti britanik Aubrey Herbert, etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb