TIRANE– “Menduam se ishin fishekzjarrë, por kur dolëm nga ballkon pamë gjak dhe shumë njerëz”. Kështu deklarojnë banorët e zonës në Kinostudio, lidhur me përplasjen me armë zjarri mes dy grupeve rivale, që kishin konflikt për ndarjen e territorit të drogës.

Gazetarja Dorjana Bezat ka siguruar për ‘BalkanWeb’ dëshmitë e banorëve, të cilët menduan se zhurma vinte nga fishekzjarrë. Po ashtu ata thanë se kishin dëgjuar 20 të shtëna. Mes të tjerash ata treguan se kishin dëgjuar disa të rinj që ziheshin, por menduan se bëhej fjalë për ndonjë ndeshje futbolli.

“Dëgjuam rreth 20 të shtëna. Kujtuam se ishin fishekzjarrë po kur dolëm në ballkon pamë shumë lëvizje. Para se të nisnin të shtënat dëgjuam që të rinjtë po debatonin, po menduam se ishin konflikte për ndeshjen. Kur dolëm vendi ishte mbushur me gjak dhe gëzhoja”, pohuan ata. Kujtojmë se nga të shtënat me armë të plagosur mbetën edhe shtetasit Juxhin Mumajesi, 24 vjeç dhe vëllai i tij Rivelino Mumajesi, 36 vjeç si dhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç. Bëhet e ditur se Durollari, ndodhet në gjendje të rëndë dhe i intubuar, ndërsa dy të tjerët po i nënshtrohen operacionit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb