TIRANE– Një ditë pas protestës së opozitës në Bulevard, Policia e Shtetit ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për 31 protestues, të cilët dyshohet se janë përplasurje me forcat e rendit.

Pas tubimit i cili filloi i qetë, por pasoi me përplasje të protestusve me policinë, janë analizuar pamjet filmike, nga ku ka rezultuar se një grup prej 31 personash kanë krijuar tension dhe kanë goditur efektivët e policisë me rrjetë hekuri, gurë dhe shkopinj, gjatë momentit kur ndodheshin tek Ministria e Brendshme dhe përballë Kryeministrisë.

Sipas Policisë së Shtetit, ata janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi akuzohen për kundërshtim të punonjësve të policisë, shkelje të lejes për protestë, si dhe goditje për shkak të detyrës.

Kujtojmëse gjatë protestës së djeshme të opozitës mbetën të lënduar tre qytetarë dhe disa punonjës policie.

INFORMACIONI I POLICISE
Prishën rendin dhe qetësinë publike, shkatërruan pronën, si dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kundërshtuan punonjësit e policisë, procedohen penalisht 31 shtetas.

Në datë 26.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë dhe po punohet për shoqërimin e tyre.

Procedimi ndaj tyre filloi pasi në datë 26.05.2018, rreth orës 12:00, para godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, në protestën e organizuar nga Partia Demokratike, kanë ushtruar dhunë fizike, duke goditur dhe shtyrë punonjësit e policisë, të cilët ishin të planifikuar me shërbim.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë i kryer në bashkëpunim”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Shkatërrim prone”, parashikuar nga nenet 236/2, 274 dhe 150 të Kodit Penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb