TIRANE– Gjykata Administrative ka vendosur për anulimin e ndërtimit të dy HEC-eve në Kanionet e Osumit. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, gjatë një aktiviteti në ditën Botërore të Rangersa-ve.

Klosi shtoi se Gjykata Administrative rrëzoi ankimimin e subjekteve për HEC-et në Osum, duke i dhënë të drejtën Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për pezullimin e ndërtimit të këtyre HEC-eve.

“Gjykata administrative e shkallës së parë Tiranë vetëm një ditë më parë ka dhënë të drejtën institucioniit tonë për bllokimin dhe refuzimin e ndërtimit të 2 HEC-eve mbi kanionet e Osumit. Nuk kishte si të kishte një lajm më të mirë sesa ky në Ditën ndërkombëtare të Rangers, ky vendim i gjykatës. Dhe sipas vendimit të gjykatës vendimi ynë i disa muajve më parë, për bllokimin e ndërtimit të këtyre 2 HEC-eve është marrë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe procedurat ligjore në përgjithësi. Vendimi i gjykatës, na nxit edhe më shumë në intesifikimin e përpjekjeve tona për t’i parë procedurat e të shkuarës, për të parë trashëgiminë në zyrat tona, e cila është mbushur me bomba, është mbushur me veprime ilegale, është mbushur me veprime në kundërshtim të drejtpërsëdrejtë të interesit të komunitetit tonë. Vendimi i gjykatës për bllokimin e ndëritmit të HEC-ev është gjithashtu një shenjë ogurmirë se edhe drejtësia pas reformës kaq shumë të përfolur të sistemit të drejtësisë do të kthehet në anën e mirë, në anën e opionionit publik, do të kthehet në anën e interesave të qytetarëve të thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi”, tha ai.

Ministri Klosi bëri të ditur se edhe në Bashkinë e Bulqizës është kërkuar që të anulohet koncesioni për prerjen e pyjeve, ndërsa nuk la pa përmendur vendimin e gjykatës të cilësuar prej tij si skandaloz për rifillimin nga puna të guroreve në Berat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb