Mendoi se në Greqi do të gjente parajsën, por nga plumbat e Vlorës dhe situata kaotike në Shqipëri, Fiorin Durmishaj u përball me probleme të shumta edhe në shtetin fqinj. Në një rrëfim rrëqethës për “Gazzetta.gr”, sulmuesi i Shpresave tregon peripecitë që kaloi gjatë fëmijërisë, racizmit të grekëve dhe vështirësitë ekonomike. “Stërvitesha me barkun bosh dhe më dhembte stomaku gjithë natën. Nuk kisha para për të blerë banane dhe ujë”, tregon mes të tjerash 21-vjeçari nga Vlora.

Cili është sekreti i Panioniosit që krijon kaq shumë lojtarë nga akademia?

Nuk e di. Realisht, nuk e di se si funksionon në aspektin ekonomik kjo pjesë, por unë mund të flas për karakterin e lojtarëve. Këtu afrohen fëmijë me motivim dhe me dëshirë. Afrohen fëmijë që kanë vuajtur dhe kanë eksperiencë në jetë dhe e dashurojnë futbollin. Kjo është ajo që unë ndiej.

Në grupe dhe në skuadra të tjera, nuk shoh kaq shumë bashkëpunim me njëri-tjetrin. Te Panioniosi mund të mungojë luksi dhe infrastruktura, por janë të gjithë të etur.

Si arrin Panioniosi të menaxhojë forcat dhe të kalojë problemet, duke qëndruar në nivele të larta?

Ata dinë të punojnë me të rinj dhe t’u japin mundësi atyre. Sigurisht që ata luajnë një rol të rëndësishëm në dhomat e zhveshjes, kjo është arsyeja. Ka disa lojtarë që qëndrojnë gjithmonë si trungu i skuadrës dhe të tjerë që vijnë dhe përshtaten menjëherë. Ata e kuptojnë që duhet ta ndihmojnë Panionionsin.

durmishaj

Kam kuptuar që strategjia lidhet edhe me afrimin e lojtarëve që kanë gabuar në një skuadër dhe janë larguar pa lënë gjurmë aty. Njerëzit që punojnë aty janë shumë të thjeshtë dhe të kuptueshëm me njëri-tjetrin. Unë mësova shumë nga ideologjia e kësaj skuadre dhe u rrita me rregullat që ata kishin.

Le të flasim pak për ju. Si erdhët në Greqi dhe pse? Keni kujtime?

Unë isha 5 vjeç dhe mbaj mend që udhëtuam me autobus. Isha ulur pranë babait tim dhe isha shumë i gëzuar dhe i kënaqur që do të largohesha nga Shqipëria. Aty ishim shumë keq. Jetonim në një fshat dhe në një vend ku ishim të kërcënuar nga plumbat. Ishte lufta civile dhe kohë shumë e keqe për Shqipërinë.

Por, gjithsesi e mbaj mend që isha i gëzuar që do të vinim në Greqi. Gjatë gjithë rrugëtimit shihja nga dritarja qytetet që linim pas. Udhëtuam për 12 orë dhe isha i fiksuar në xhamin e dritares së autobusit. Ky është kujtimi. Babai më tha që duhet të flija pak sepse ishte rrugë e gjatë, por unë nuk fjeta fare.

Durmishaj

Pasi erdhët në Greqi, u përballët me racizmin në fëmijërinë tuaj?

Mbaj mend që kur erdhëm në Rodos, racizmi kundër shqiptarëve ishte i madh. Ishte më i madh në krahasim me qytetarët e shteteve të tjera. Ne po kërkonim të gjenim një shtëpi me qira dhe babai foli në telefon me dikë për të biseduar për detajet. Por, babai nuk dinte shumë mirë greqisht dhe ai e kuptoi që po fliste me një shqiptar. “Nga jeni ju?”, e pyeti greku. Babai i tha se ishte shqiptar dhe në atë moment ai iu përgjigj se nuk kishte shtëpi për të dhënë me qira.

Ku qëndruat sapo shkuat në Greqi?

Kur shkuam aty, ndenjëm për disa kohë te shtëpia e hallës, që ishte shumë e vogël. Qëndruam nëntë vetë në një dhomë 60 metra katrorë deri sa gjetëm dhomën tonë. Ishte një dhomë 27 metra katrorë dhe tualetin e kishte jashtë. Nuk kishim mjaftueshëm para dhe nuk e kishim luksin për të kërkuar gjëra të tjera.

Donim thjesht të fusnim kokën në një shtëpi. Por, sa herë që pronari i shtëpisë vinte për të marrë paratë ne i thoshim vëllait që të fshihej dhe që ai të shikonte që ishim vetëm 4 vetë. Nëse do të merrte vesh që ishim 5 do të na merrte më shumë para. Sigurisht që ishte një lloj racizmi.

Si ju ndihmoi futbolli që të përshtateshit në një shtet të huaj?

Kur fillova shkollën, në fillim nuk kisha shumë shokë. Unë fillova t’i krijoj shokët vetëm kur nisa të luaj futboll. Sepse ky sport i bashkon njerëzit, ashtu si sportet e tjera. Megjithatë, nuk i kuptoja ato që thoshin shokët e mi të fëmijërisë, por kuptoja gjuhën e trupit të tyre. Shumë ngadalë arrita të integrohem edhe unë. Unë në Shqipëri kisha nisur kopshtin dhe kur u largova, nuk nisa menjëherë shkollën. Shkova në një park ku kishte fëmijë dhe duke luajtur futboll mësova fjalët e para në gjuhën greke. Kjo ishte mënyra se si i bëra shokët e parë.

Si ishte një ditë në Greqi? Kishte ndryshime nga Shqipëria?

Nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Unë mbaj mend shtëpinë ku qëndronim që nuk ishte përfunduar akoma dhe ishte me tulla. Muret ishin me vrima prej plumbave. Nuk kishte as rrugë, kishte vetëm gurë dhe shkëmbinj kudo.

Po në futbollin grek nisët të ndjenit racizëm?

Shumë herë e kam ndier. Ndodhnin gjithmonë të njëjtat gjëra që lidheshin me origjinën time. Në fillim isha shumë nervoz dhe pyesja veten pse. Por, pastaj nisa të mos u jap shumë rëndësi. Është sikur të mos dëgjoja gjë. Ndonjëherë thosha se këta nuk kanë nivel, por vendosa t’i fal me kalimin e kohës edhe pse këto deklarata më “vrisnin”. Megjithatë edhe i kam falur shumë gjëra.

Cila ka qenë gjëja më e vështirë në karrierën tuaj?

Do t’ju tregoj diçka nga fillimi nëse doni ta dëgjoni me vëmendje dhe të mos më ndërprisni.

Sigurisht që do ta dëgjojmë me vëmendje.

Kur unë shkova në Athinë, provova të luaja dhe trajneri i të rinjve më donte mua në skuadrën e 17-vjeçarëve. Më duhet të merrja një dokument për t’u regjistruar, por nuk e kisha të lehtë. Por kisha edhe presionin e babait dhe vëllait, të cilët më thoshin që të mos vazhdoja më në futboll sepse ata nuk më donin realisht. Më kërkonin që të hiqja dorë. Por, unë u kërkova që të qëndronin deri në fund të Krishtlindjeve, derisa unë të gjeja një biletë për t’u rikthyer tek ata. Ishte një periudhë deri diku e mirë dhe nisa të luaja disa ndeshje, aq sa familja ime filloi të ishte optimiste. Pastaj me kalimin e kohës nuk kishim më para për të qëndruar në Athinë. Madje, kur u ktheva i kërkova familjes që thjesht të më blinte biletat për të shkuar dhe unë mund të flija në rrugë. Nuk e kisha problem. Në atë kohë stërviteshim nga Terezopulos, i cili ishte shumë strikt, në kuptimin e mirë të fjalës. Ne donim të bëheshim profesionistë dhe ai na tha ne se duhet të merrnim banane me vete dhe dy litra ujë. Por, unë nuk kisha kaq shumë para, për të blerë ujë, babanë dhe për bileta autobusi. Por nuk mund t’i thosha trajnerit për këto problematika. Ai na kishte thënë që nëse na kapte 3 herë në gabim, do ta na përjashtonte. Unë dy herë isha pezulluar, pa i thënë që kisha probleme financiare. Por mendova se mund t’i kishin thënë të tjerët dhe të më toleronte. Më tha se duhet të largohesha dhe ua tregova prindërve të mi.

Çfarë ndodhi më vonë?

Prindërit më prenë biletat që të kthehesha në Rodos me traget dhe trajneri Terezopulos mendonte që unë nuk e dëgjoja kur më thoshte që duhet të merrja banane në stërvitje. Por, më vonë e kuptoi situatën time dhe filloi të më jepte besim dhe disa minuta. Ai më mori në 6-7 ndeshje, por babai këmbënguli që duhet të kthehesha dhe të mos këmbëngulja kot. Por, trajneri më befasoi kur pas një ndeshjeje i mblodhi të gjithë në dhomat e zhveshjes dhe u tha: Unë dua lojtarë të fortë, që krijojnë shpirt dhe kanë pasion për këtë sport si Durmishaj. Luajta kundër Atromitosit dhe fituam 4-3, unë shënova 2 gola dhe dhashë një asist. Pastaj në Tripoli trajneri nuk kishte fituar kurrë dhe unë shënova 3 gola, duke i dhënë fitoren 3-2. Pastaj ai u largua, por ishte një nga trajnerët që më bëri profesionist. Më thoshte që të zgjohesha në orën 6:40, të shkoja në shkollë dhe pastaj të stërvitesha. Punoja pa fund dhe vetëm bëja palestër. Por, pastaj u transferova te Kalithea dhe aty kishte shumë gjëra negative në termat e organizimit. Pavarësisht faktit se luajta dhe bëra mirë. Unë shkoja në stërvitje me motorin që ma kishte dhuruar vëllai. Unë shkoja ndonjëherë i bërë qull prej shiut dhe ata më shikonin dhe qeshnin me mua. Por nuk e kuptonin që të gjithë nuk mund të kishin një makinë dhe sa e vështirë ishte. Më vinte keq për prindërit që bënin gjithçka për mua dhe ndiheshin keq. Merrnin para hua nga të tjerët dhe m’i jepnin mua. Kishte edhe ditë kur stërvitesha me barkun bosh dhe nuk haja. Më dhembte stomaku gjithë natën ndonjëherë, sepse haja vetëm makarona. Por nga vështirësitë bëhesh më i mirë.

Kishte momente kur mendonit që duhet ta linit futbollin dhe të bënit diçka tjetër?

Po. Më shumë se 5 herë. Kur rikthehesha në Rodos, shihja familjen që ishte e varfër dhe i thosha vëllait që të më gjente një punë. Nuk më pëlqente që t’u kërkoja para prindërve të mi. Unë doja të gjeja një punë, por ata pavarësisht se ishin në vështirësi e dinin që mua më pëlqente futbolli dhe më thoshin që duhet të vazhdoja të punoja. Ata qëndruan gjithmonë pranë meje dhe më mbështetën.

Nëse mund të ndryshonit diçka në shoqërinë ku jeton. Cila do të ishte?

Shikoni, ajo që unë doja të ndryshoja, sigurisht që do të ishin zhdukja e urisë në botë apo vrasja e fëmijëve. Por, kjo është utopi. Me sistemet politike dhe ekonomike ku jetojmë është e vështirë. Prandaj njerëzit duhet të kenë bashkëpunim me njëri-tjetrin, të shpërndajnë dashuri dhe respekt me njëritjetrin. Këto vlera duhet të na shoqërojnë gjatë jetës.

Shumë njerëz kanë në mendjen e tyre idenë që lojtarët kanë jetë të qetë dhe shpenzojnë paratë e tyre. Por, në Greqi duket se nuk është e njëjta gjë…

Njerëzit mund ta imagjinojnë jetën tonë të tillë, me makina të shtrenjta, rroba të shtrenjta. Por, ky nuk është rasti i Greqisë. Për shembull në vitin e dytë te Kalithea kisha vitin tim më të vështirë ku nuk kishim benzinë në stërvitje. Ishim 5-6 vetë në një makinë që nuk kishim para për të shpenzuar. Por, unë jetoja në një shtëpi 25 metra katrorë. Por, kur je futbollist jo vetëm fiton para, por edhe shpenzon shumë.

Çfarë nuk ju pëlqen në futbollin grek?

Dhuna dhe huliganët. Tifozët duhet të vijnë në stadium për të parë shfaqje të bukur dhe ta lënë mënjanë dhunën.

Me çfarë e shpenzoni kohën tuaj të lirë?

Më pëlqen të dëgjoj muzikë dhe të lexoj libra.

Keni një person që doni ta falënderoni që ju ka ndihmuar në karrierë?

Ata që dua të falënderoj më shumë janë njerëzit në Rodos që më ndihmuan mua. Shumë shqiptarë na qëndruan afër dhe na ndihmuan. Dua të falënderoj presidentin Vogiatzoglu dhe trajnerin Kumento. Terezopulos më bëri profesionist, por sigurisht që falënderimi më i madh i takon familjes.

Cilin gol do të mbani mend dhe pse?

Nuk do të harroj golat e shënuar me AEK-un sepse ishte goli im profesionist me Katithean në Kategorinë e Dytë. Por, edhe golat me Heraklesin. Por, goli kundër Panathinaikosit ishte gjithashtu i paharrueshëm. Ishte kundër një skuadre të madhe, që unë e respektoj shumë.

Burimi : http://www.panorama.com.al/plumba-dhe-racizem-rrefimi-unik-i-talentit-shqiptar-ne-greqi-stervitesha-me-barkun-bosh-skisha-para/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: