ELBASAN- Policia e Shtetit zbardh incidentin e ndodhur dje me kreun e Partisë Demokratike të Gramshit Elmas Haruni.

Sipas policisë, mjeti ku udhëtonte Haruni është ndaluar për një kontroll në hyrje të Gramshit por gjatë kontrollit të dokumentacionit, harruni ka kundërshtuar dhe ofenduar punonjësit e policisë.

Më pas policia ka shoqëruar makinën me gjithë personat që ndodheshin brenda në Komisariatin e Policisë Elbasan, nga ku ka rezultuar se shoferi ishte i dehur.
Ndaj kreut të PD Gramsh ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

DEKLARATA E POLICISË
Në zbatim të planit te masave nga  Policia Rrugore për parandalimin e aksidenteve rrugore, shërbimet e Policisë Rrugore  të vendosura në hyrje të qytetit të Gramshit, kanë ndaluar për kontroll mjetin tip “Benz” me targa AA 387 MR, me drejtues shtetasi Artur Rrodhe, 39 vjeç, banues në Gramsh, ku në mjet ndodheshin si pasagjerë shtetasit E.H.,51 vjeç, banues ne Gramsh dhe shtetasi E.Z, 35 vjeç, banues ne Gramsh.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit, pasagjeri shtetasi E.H., ka kundërshtuar dhe ofenduar punonjësit e policisë të cilët ishin duke kryer detyrën. Nga ana e shërbimeve të policisë u bë shoqërimi i mjetit tip “Benz” me targë AA 387 MR me gjithë personat në ambientet e Komisariatit të Policisë Elbasan.

Pas bërjes së testit të alkoolit drejtuesi i mjetit shtetasi Artur Rrodhe rezultoi në gjendje të dehur në masën 0.85 mg/l, i cili u arrestua në flagrancë, ndërsa shtetasi E.H., pas përfundimit të veprimeve të kryera nga OPGJ i Prokurorisë u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga neni 242 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb