Zhytjen e fundit para se të ikë vapa e gushtit, Edi Rama po e bën në bregdetin e jugut. Misioni i vetëm i kryeministrit këto ditë të nxehta është t’i mësojë notin djalit të tij Zaho, duke harruar për pak kohë  hallet qeveritare ashtu si edhe reagimet zyrtare për debatin që është ndezur si brenda dhe jashtë  territorit shqiptar, mbi deklarimet e presidentit kosovar për korrigjimin e kufijve.

Në viset shqiptare po pushon edhe Ilir Meta President, i cili prej ditësh po eksploron bukuritë e bjeshkëve të Rugovës, por kreu i shtetit shqiptar ka zgjedhur qetësinë dhe shmangien e komenteve për aktualitetin politik duke mbajtur në balancë temperaturat politike me ato atmosferike.

Pushimet familjare natyrisht kanë bërë bashkë presidentin dhe kryetaren në opozitë të LSI-së. Në aventurën e tij gushtore, Presidentin e ka ndjekur bashkëshortja Monika.

Shqipërinë nuk e ka braktisur as Lulzim Basha. News24 e pyeti liderin e opozitës se ku po i kalon pushimet dhe përgjigjja që mbërriti ishte Qerreti. Lulzim Basha ka zgjedhur bregdetin shqiptar për të bërë kredhjen e fundit ne det, para betejës se madhe opozitare qe ka paralajmëruar ne shtator.

Sali Berisha, besnik i gjirit të Lalëzit, edhe pse larg Tiranës nuk nguron të përfshihet virtualisht në debate dhe replika, më e fundit ajo me Presidentin e Kosovës, ndërsa më diskret për vendodhjen e tij duket kreu i Kuvendit.

Politika po merr energjitë e fundit para se vjeshta të trokasë, shtatori pritet me surpriza, ndryshime në qeveri, një ftesë e hapur e maxhorancës për bashkëpunim me opozitën dhe një aksion i nxehtë parlamentar. Të gjitha këto parashikohen të ndodhin, dhe gjithmonë para një furtune ka qetësi.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: