Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës, për herë të dytë gjatë këtij edicioni ka gjetur rezultatet e sfidave të Superligës para se ato të luhen, madje në një rast duke bërë thirrje të vihen baste, me rezultatin e saktë në ‘kokë’.

Ajo që bie në sy është se në dy rastet i përfshirë ka qenë ekipi i Laçit dhe për këtë arsye presidenti Pashk Laskaj ka reaguar ashpër ndaj Mxiut. Në një intervistë për ‘Sport Ekspres’ Laskaj thotë se e ka paditur në gjykatë Mzium, madje habitet sesi prokuroria nuk ka nisur hetim për të. Më poshtë deklarata e plotë e presidentit të Laçit.

“Nëse thuhet diçka e tillë duhet çuar deri në fund, duhen thënë të gjitha. Ose jam unë fajtor, bashkë me Laçin, ose Mziu të mbajë përgjegjësi. Unë e kam paditur në gjykatë Mziun. Pse nuk shkon ky zotëria të japë prova në Prokurori? Herën e parë në ndeshjen ndaj Teutës nuk ia vura re, ndoshta ishte i ngarkuar emocionalisht, por kësaj here do të thotë që ai e ka personale me ne. Kjo histori më ka stresuar shumë. Prokuroria duhet të interesohet dhe të përfshihet në këtë ngjarje. Fillimisht mendova që ishte shpikje gazetarësh, më pas kuptova se e ka thënë realisht Mziu, i cili mesa duket e ka përdorur si strategji për të venë në vështirësi ekipin tim.

Ky është sporti ynë, ose ta pastrojmë dhe të shkojmë në prokurori e kush ta meritojë burgun, ose secili të flasë në tym dhe të akuzojmë gjithë ditën njëri-tjetrin. Si mund të dalë dikush e të bëjë thirrje publike që të vendosen baste për ndeshjen e Superiores? A ka shtet këtu? Pse nuk e thërret kush këtë person me pushtet që jep deklarata të tilla, për çfarë i jep, çfarë di dhe kush ia ka thënë?”, u shpreh Laska.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb