Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović është shpallur sot qytetare nderi në Berat. Ka qenë presidenti i Republikës, Ilir Meta që ka postuar në faqen e tij të ‘Facebook’-ut disa foto nga vizita e homologes së tij teksa vizonte Urën e Varur në Berat, apo dhe muzeun Onufri. “Qytetarja më e re e qytetit të lashtë të Beratit, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović. Qytetare e Nderit e vendit të ikonografit të famshëm mesjetar Onufri, e qytetit të një mbi një dritareve dhe perlës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, shkruan Meta në Fb.

Kitarović u shpall “Qytetare Nderi” nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti me motivacionin: “Personalitetit i shquar i politikës rajonale e më gjerë, model frymëzimi, humanizmi, solidariteti si dhe përfaqësues e një populli mik që çmon dhe vlerëson kontributin e shqiptarëve për lirinë duke ndërtuar ura bashkëpunimi, tolerance, mirëkuptimi dhe paqeje midis popujve.”

Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi se vizita në këtë qytet të përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s dhe shpallja e Presidentes kroate “Qytetare Nderi” nga Beratit është një tregues mjaft domethënës jo vetëm i lidhjeve të lashta mes dy vendeve e popujve, por edhe një ilustrim i marrëdhënieve të shkëlqyera e miqësisë së ngushtë mes shqiptarëve dhe kroatëve.

Ndërsa Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic teksa falënderoi për nderimin që iu bë duke e ndjerë veten tashmë bashkëqytetare me të gjithë beratasit, nënvizoi faktin se miqësia dhe bashkëpunimi mes Kroacisë dhe Shqipërisë, midis kroatëve dhe shqiptarëve, është më e fortë se kurrë.
“Kjo gjë i shërben jo vetëm brezave tanë të rinj, që do të bëhen udhëheqësit e së nesërmes, por edhe rrugëtimit tonë evropian, së ardhmes sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, si dhe rajonit e kontinentit tonë gjithashtu.” – u shpreh mes të tjerash Presidentja e Kroacisë.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb