TIRANE- Është prezantuar sot paketa e negociuar me kompaninë koncesionare për skemën tarifore të kalimit në aksin Milot-MOrinë për banorët e Kukësit, automjetet e transportit publik dhe përdoruesit e shpeshtë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj zhvilluan sot një takim me përfaqësues nga Qarku i Kukësit ku prezantuan këtë paketë.

Po kështu është pranuar kërkesa e bizneseve (kryesisht atyre të Kosovës), për të spostuar rinisjen e zbatimit të kalimit me tarifë përtej sezonit aktual turistik. Rrjedhimisht, është përcaktuar që kalimi me pagesë në aksin Milot-Morinë të fillojë të zbatohet duke nisur nga data 17 Shtator 2018.

PAKETA LEHTESUESE PARASHIKON
Tarifimi i automjeteve të banorëve të Qarkut të Kukësit
Tarifë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës;
Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda peridhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime;

Përdoruesit e Qarkut Kukës do të parablejnë në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar;

Kjo skemë tarifore do të aplikohet për klasën e automjeteve A dhe B për përdorim vetjak, të regjistruara në Qarkun Kukës;

Për automjetet e cilësuara më lart, të regjistruara në Qarkun e Kukësit, do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass dhe përmes saj do bëjnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës;

Tarifimi i autobusëve të linjës
Janë identifikuar 11 Linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit;

Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale;

Këto mjete do të kenë tarifë Kalimi prej 100 lekë me T.V.SH për 1 kalim;
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova):

Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;
Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40%;

Ministri Gjiknuri tha se qeveria po merr rriskun më të madh financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative. “Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në ahtator. Pra, kjo verë të kalojë duke dëgjuar edhe bizneset, pjesën e Kosovës. Nga 17 Shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Më tej, ai tha se po vazhdon investimi për ta përfunduar segmentin nga Kukësi në Morinë duke e sjellë brenda parametrave të duhura. “Ne do ta kompletojmë edhe pjesën e mbetur nga Kukësi në Morinë. Kanë filluar investimet aty dhe po rregullohen urat. Shumë shpejt do të mbyllet kontrata edhe për pjesën e mbetur dhe do të vendosim edhe 2-3 mbikalime aty pasi është bërë zonë e rrezikshme për qytetarët. Pra, brenda vitit edhe ajo pjesë e mbetur e autostradës do të kompletohet me parametrat e duhura”, theksoi Gjiknuri.

Ndërkaq, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se rruga paraqet vështirësi në mirëmbajtje dhe kosto të larta por mbetet strategjike. “Ajo është rrugë sa është e vështirë edhe strategjike. Pse është e vështirë? Këndet gjeologjike gjeografike i ka të vështira, një pjesë e saj ngrin gjatë dimirit, ndërkohë që strategjikisht është mundësia e Aeroportit të Kukësit. Ndërkohë nga ana strategjike, sigurisht që ka lidhje me Qarkun e Kukësit, që është fatkeqësisht një nga qarqet më të varfëra dhe me Kosovën”, tha Ahmetaj.

Më tej, ai sqaroi efektin që ka në Buxhetin e Shtetit paketa lehtësuese e negociuar me kompaninë koncesionare.

“Efekti shtesë bruto në Buxhetin e Shtetit për një vit, për pesë vitet që vijnë kap vlerën rreth 1.1 milionë euro, ose afërsisht 140 milionë lekë të reja. Të gjitha zbritjet që patë ju për qytetarët e Kukësit, për linjat, për përdoruesit e shpeshtë, shkojnë në 48.5 milionë euro. Pagesa, dikush mund të thotë është simbolike, dikush mund të thotë për mua është shumë por kjo është situata e Buxhetit, kjo është situata e rrugës dhe Kryeministri ka vendosur që Buxheti i Shtetit do të marrë këtë kosto, rreth 50 milionë euro vetëm për këtë zbritje të konsiderueshme”, sqaroi Ahmetaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb