Viktor dhe Amalija Knavs, prindërit e Zonjës së Parë Melania Trump bënë betimin si shtetas amerikanë. Avokati i tyre tha se çifti slloven e bëri betimin të enjten në qytetin e Nju Jorkut. Çifti Knavs e rritën Melaninë në qytetin Sevnica, kur Sllovenia ishte nën sundimin komunist të ish-Jugosllavisë.

Sipas avokatit të tyre nuk pati trajtim special për ta gjatë procedurave. “Aplikimi, procesi dhe intervistat nuk ishin të ndryshme nga cdo qytetar tjetër”, u shpreh avokati. Viktor dhe Amalija Knavs kanë jetuar në SHBA si rezidentë të përhershëm me “green card”.

“Ata do të vlerësonin privatësinë dhe ne falënderojmë të gjithë për vëmendjen e tyre për këtë dialog shumë të rëndësishëm që kemi për emigracionin. Ky është një shembull se po shkon drejt”, tha avokati më tej.

Knavs kanë një rezidencë në Maryland, pranë shkollës së Barron Trump, për të ndihmuar vajzën dhe nipin e tyre.
Ata gjithashtu udhëtojnë me familjen e parë, pasi janë parë në udhëtime në Camp David dhe Mar-a-Lago.

Viktor ishte tregtar makinash, ndërsa Amalija punonte në një fabrikë tekstili. Viktor është 74 vjeç, dy vjet më i madh se Presidenti Donald Trump.

Amalija është 73 vjeç. Zonja e Parë ndryshoi emrin në Melania Knauss kur filloi punën si modele. Ajo u vendos në Nju Jork më 1996 dhe u njoh me zotin Trump dy vjet më vonë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb