JALE– Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Jalë me studente e pedagoge te Akademisë ‘100 fshatrat’, ku 22 grupe pedagogësh e studentësh nga 6 universitete të vendit nisin punën në gjithë qarqet.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se ky projekt ndihmon në zhvillimin në disa drejtime të Shqipërisë rurale dhe fshatrat nuk janë zgjedhur rastësisht, por me vëmendje dhe në bashkëpunim me bashkitë. Rama tha se në këtë projekt do të ketë një bashkëpunim edhe me universitetet e huaja.

“Janë 100 fshatra të zgjedhur jo rastësisht, por me vëmendje dhe kujdes nga bashkitë. Ka një ndërthurje të trashëgimisë kulturore, traditave dhe burimeve natyrore. Ka një diversitet, për të krijuar modele inspiruese për të tjerë. Nga ana tjetër është një përpjekje për të ndërthurur sa më shumë role aktorësh të ndryshëm, qeveritarë, ministri, agjenci por edhe universitetin. Akademia është një instrument i rëndësishëm për 1 mijë arsye. Vjen në ndihmë për të plotësuar një boshllëk në territor. Ka mungesë të burimeve njerëzore në terren. Akademia sjell një larmi këndvështrimesh, që nga pedagogët deri tek studentët që kanë ide dhe energji. Kjo na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të kemi një numër projektesh dhe skenarë zhvillimi, por edhe bazë kërkimi. Ne do të përfshijmë edhe universitete të huaja në këtë projekt, programi nuk fillon dhe mbaron me afate, është afatgjatë. Ky program, krijon mundësi për të përfshirë shumë të tjerë duke nisur nga universitetet e huaja”- tha Rama.

Ndër të tjera kryeministri tha se në muajt shtator-tetor qeveria do të finalizojë kontratën për nisjen e punimeve për Bypass-in e Fierit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: