TIRANE- Ndonëse më herët ishin publikuar vetëm disa foto se si do jetë godina e re e Teatrit Kombëtar, së fundmi është publikuar edhe videoja që qartëson gjithçka se si do jetë shtëpia e artistëve brenda dhe jashtë saj.

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj e cilëson një ditë të re për Tiranën dhe u kërkon qytetarëve një mbështetje masive.

“Një ditë e re për Tiranën! Një mbështetje masive për progresin! Një Teatër i Ri për Kryeqytetin Europian”- shkruan Veliaj.

Projekti i prezantuar në një nga studiot ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Grop” me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës.

Godina është organizuar me dy pjesë, ku njëra i është dedikuar tërësisht administratës dhe aktorëve dhe pjesa tjetër publikut. Personeli administrativ futet në godinë nëpërmjet parkingut ose nën harkun. Pasi të futen brenda, ata kanë bërthamat e tyre të qarkullimit.

Publiku hyn në ndërtesë nga niveli i tokës, ose nga fasada në anën jugore, ose nën hark. Biletaritë janë të rrethuara nga dy shkallët e mëdha, që të pranishmit t’i tërheqin në pjesën e hollit. Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon.

Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila. Gjithashtu për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: