TIRANË- Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, kryeministri i vendit Edi Rama premtoi punë serioze të Shqipërisë në këto 12 muaj me qëllim hapjen e negociatave në qershor.

“Shqipëria është e angazhuar të punojë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt. Ka shumë rëndësi për ne që të futemi në këtë proces dhe gjatë këtyre 12 muajve të punojmë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt”,- tha kryeministri Rama.

Ai informoi gjithashtu se javën e ardhshme në Tiranë do të vijë Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn për tu ulur me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces shumë të madh analitik në kuadër të punës përgatitore.

“Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës europiane dhe zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe kemi bërë progres të mirë. Shpresoj se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal”, tha Rama.

Nga ana e tij, Tusk shprehu mbështetjen dhe bindjen se Shqipëria shumë shpejt do të bëhet anëtare e BE-së.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: