Komentet e Cristiano Ronaldo-s pas ndeshjes mes ekipit A dhe B të Juventusit nuk i kanë pëlqyer aspak Sergio Ramos-it, kapitenit të Real Madrid që ka ndarë 9 vite me portugezin te “galaktikët”.

Ronaldo ekzaktësisht u shpreh: “Ky klub (Juventusi) është ndryshe, të gjithë janë miqësor, fansat gjithashtu, si një familje.” Fjalë këto që janë interpretuar si një mesazh për Real Madrid.

Sot, në një intervistë të dhënë për gazetën “Marca” në lidhje me Superkupën e Europës Ramos i ka kthyer përgjigjje Ronaldo-s: “Këtu ne jemi ndjerë gjithmonë si një familje, kështu që nuk e di se për çfarë ka folur ai.

Ne kemi patur shumë suksese, që janë si pasojë e të qenit një familje dhe ai ka qenë pjesë e kësaj familje, që ne vazhdojmë ta kemi. Është padyshim diçka negative kur humbet lojtarë si Cristiano Ronaldo, por ne mundemi akoma të fitojmë dhe në historinë e Real Madrid disa kanë ardhur e të tjera kanë ikur, por klubi ka vazhduar të fitojë.

Askush nuk është mbi Real Madridin, çfarëdo të ndodhë klubi do të vazhdojë të jetojë dhe ishte zgjedhja e tij për t’u larguar. Vendimet nuk janë të miat, por dyert janë gjithmonë të hapura për atë që duan të jenë pjesë e Real Madridit.”

Ramos vazhdoi të pohonte se humbja e shërbimeve të Ronaldos ishte e vështirë, por insiston se askush nuk është mbi klubin.

“Largimi i Ronaldo-s është i vështirë, por asnjë lojtarë nuk është mbi Real Madridin dhe ne jemi akoma të uritur për të fituar tituj. Mendësia që ne kemi është më e rëndësishme se çdo individ,”-mbyll Sergio Ramos.

Kujtojmë se sonte Real Madrid do përballet me Atletico Madrid në një finale që vlen Superkupën e Europës, në tallin të Estonisë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb