Shëndetësia është një sektor sensitiv dhe investimet në qendrat e kujdesit shëndetësor, spitalet dhe pajisjet e tyre janë po aq të rëndësishme ndoshta edhe më shumë se sa ndërtimi i rrugëve dhe veprave të tjera publike.

Sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësorë që administron fondet në sektorin shëndetësor në vend për vitin 2017 janë realizuar investime 1.3 milionë. Edhe këto shkuan për (pajisje zyre e kompjuterë).

Sipas të dhënave të Fondit në fillim të vitit ishin programuar 367 milionë lekë investime, të cilat nuk u mundësuan për mosrealizim të procedurave prokuruese (nuk u realizuan prokurimi i programuar i rikonstruksionit të godinës qendrore, si dhe të godinës së drejtorisë Shërbimit Spitalor në QSUT; nuk është realizuar blerja e software-ve për shkak të anulimit të procedurës së prokurimit).

Me rishikimin e buxhetit në shtator 2017, fondet e investimeve për shëndetësinë thuajse u zeruan ne vetëm 6 milionë lekë, por edhe nga këto u realizuan vetëm 1.3 milionë lekë.

Për rrjedhojë në fund të vitit të kaluar me programin e rishikuar, buxheti për investime u rishpërnda për plotësimin e programit të shpenzimeve të rimbursimit.

Ndërsa shpenzimet administrative të FSDKSH kapin shifrën 845, 474 milionë lekë shumë herë më shumë se investimet, nga të cilat shpenzimet për paga e shpërblime janë realizuar në shumën 573 milionë lekë, për sigurime shoqërore-shëndetësore janë shpenzuar 93 milionë lekë. Teksa shpenzimet për mallra e shërbime janë realizuar në shumën 189 milionë lekë. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb