TIRANE – Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me klimën e biznesit për vitin 2018 (Investment Climate Statements for 2018) nuk e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve ku u sugjerohet investitorëve amerikanë për të bërë biznes.

Pas këtij raporti ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila e quan këtë një dënim për ekonominë tonë.

“Të mos jesh vend mikpritës për bizneset amerikane do të thotë se në Shqipëri ka klimë armiqësore ndaj tyre me taksa të larta, ka konkurencë të pandershme nga paratë e pista të trafikut të drogës dhe korrupsionit, ka përqendrim të ekonomisë tek një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës.

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të mos e konsideruar Shqipërinë si një vend miqësor për bizneset amerikane nuk është një rrufe në qiellin e hapur të një vendi të qeverisur nga narkotrafikantët dhe oligarkët

Kohët e fundit Dhoma Amerikane e Tregtisë ka theksuar klimën armiqësore ndaj biznesit, por në vend të reagimit për të ndryshuar situatën, kryeministri Rama ka sulmuar publikisht, Kryetarin e Dhomës Amerikane të Tregtisë,” tha Tabaku ne deklaratën për shtyp.

Sipas Tabakut, opozita e ka denoncuar me forcë këtë sjellje të qeverisë, për shkak të së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm ekonomik në botë, partneri ynë strategjik, renditet në vendet e fundit sa i takon investimeve të huaja në Shqipëri.

“·Sot në Shqipëri nuk ka më vend për investitorë amerikanë, sepse ato i kanë zënë investitorët rusë e gjeorgjianë.
·Sot të vetmit që marrin tendera janë miqtë e kryeminsitrit.
·Sot çdo PPP jepet nga qeveria pa garë, me ofertë të pakërkuar.
·Sot ligjet bëhen me emra biznesesh.
·Sot praktikisht në ekonomi nuk ka më garë.
Sot në Shqipëri nuk ka investitorë amerikanë dhe invstitorë të tjerë të huaj, sepse askush nuk investon në një vend ku çdo pushtet e ka marrë kryeministri. Askush nuk investon në një vend ku Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është asgjesuar nga kryeministri.

Zgjidhja e vetme për këtë krizë të thellë politike dhe ekonomike është çlirimi i qeverisjes, çlirimi i tregut nga oligarkia, paratë e pista të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka ardhur koha për një ndryshim rrënjësor,” tha ajo.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb