Tema e mundësisë së ndryshmit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, ka qenë në fokus të shumë mediave ndërkombëtare. Mes tyre gazeta austriake “Der Standard” dhe agjencia “Reuters” kanë publikuar artikuj ku pozicionohen kundër ndryshimit të kufijve.

Agjencia e lajmeve Reuters në një shkrim të titulluar “Frenimi i BE-së promovon mosmarrëveshje të rrezikshme kufitare në Ballkanin Perëndimor” Andreas Rinke shkruan se “çdo ndryshim kufiri në rajonin e Ballkanit perëndimor është i rrezikshëm”.

Reuters citon drejtorin e Institutit për Evropën Juglindore në Universitetin e  Regensburgut, Ulf Brunnbauer, të ketë thënë se “po të ndodhë ndryshimi i kufijve të Kosovës, atëherë kjo do të trimëronte serbët e Bosnjës që të ndanin Republikën serbe dhe t’ia bashkëngjisin Serbisë. BE është fajtore për hezitimin për debatin e kufijve në Ballkan, thekson Brunnbauer, citon Reuters.

Sipas tij, Franca dhe Holanda janë fajtorë që po kundërshtojnë hapjen e bisedimeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE-në. Ky vakum i BE-së po shfrytëzohet pastaj nga vende si Rusia, Kina dhe Turqia, ka cituar Reuters ekspertin gjerman Ulf Brunnbauer.

Ndërkaq, edhe gazeta austriake është marrë sot me këtë çështje.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë do t’ia hiqte Rusisë letrën kryesore nga dora”.

Kështu citohet të ketë thënë  për gazetën austriake “Der Standard”, drejtuesi i Qendrës për Evropën juglindore në Universitetin e Gracit, Florian Biber.

“Rusia po shfrytëzon dobësitë e të tjerëve në Ballkan”, thotë Biber, teksa ka shtuar se ky ndikim mund të përmbyset vetëm përmes një angazhimi të fuqishëm të BE-së dhe të një ambivalence të Shteteve të Bashkuar të Amerikës”, transmeton Der Standard.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb