VELIPOJE- Pas shumë kohësh, është rihapur shtëpia e pushimit në Velipojë, ku do të kalojnë pushimet fëmijët që jetojnë në institucionet e përkujdesit social në vend.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi shtëpinë e pushimit në Velipojë, ku aktualisht po kalojnë pushimet 30 fëmijë të Shtëpisë së Fëmijëve të Shkodrës.

“Pushimet patjetër që identifikohen me fëmijët dhe nuk ka se si të bëjnë përjashtim fëmijët e institucioneve tona të përkujdesit. Pas fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijëve të Shkodrës, në këtë qendër do të vijnë me 1 Gusht fëmijët e ‘Zyber Hallullit’ dhe me radhë, të gjithë fëmijët e institucioneve publike të përkujdesit për fëmijët pa përkrahje prindërore, do të mund të kalojnë pushimet në këtë institucion të shtetit, për të gëzuar në këto ditë vere, si të gjithë fëmijët e tjerë”, tha Manastirliu.

Sipas ministres, do të sigurohet që të ketë pushime verore për secilin prej 194 fëmijëve të Shtëpive të Fëmijëve në të gjithë Shqipërinë.

Gjatë vizitës në Velipojë, Manastirliu u ndal edhe në qendrën shëndetësore verore të hapur në qendër të Velipojës, në shërbim të pushuesve të shumtë që frekuentojnë këtë plazh.

Ministrja theksoi se Velipoja ka numrin më të madh të shërbimeve mjekësore të ofruara për pushuesit.

“Vetëm në Velipojë 1220 persona kanë marrë shërbime mjekësore gjatë kësaj periudhe të sezonit turistik. Në të gjithë vendin janë mbi 13 mijë pushues që kanë marrë ndihmën e parë në 26 qendrat shëndetësore verore të hapura në zonat më të frekuentuara turistike”, tha Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb