Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka rrëfyer në një bisedë për emisionin “PushimeOn Top” në Top Channel, sifdat e saj si ministre, përjetimin e disiplinës në një ministri të fortë siç është mbrojtja. Teksa ka marrë disa ditë pushimesh në shtëpinë e pushimeve të ushtarakëve në Jalë, Xhaçka ka folur për herë të parë për familjen, vajzën e saj Hana dhe bashkëshortin, ish-deputetin socialist Artan Gaçi.

Zonja ministre si ndodhi që gjete pak kohë për të pushuar?

Ndodhi që Kryeministri i dha kabinetit qeveritar dy javë leje. Sigurisht që nuk kanë qenë javë të plota leje dhe realisht nuk është se pushohet me kohë të plotë, pasi puna sido që të jetë mbartet pak edhe gjatë ditëve të pushimeve. Megjithatë ka qenë një periudhë relaksuese këto 3-4 ditë që kam qenë këtu, një periudhë e kaluar me time bijë që ma ka bërë edhe më të këndëshme edhe më të bukur. Sigurisht pushimet të tilla janë, por fakti që pas një viti po kaloj një kohë shumë më cilësore dhe dedikuar për të është një kënaqësi shumë emadhe për mua.

Zgjodhët Jalën, për shkak se edhe Kryeministri tha se të gjithë ministrat duhet të pushojnë në Shqipëri, apo ishte edhe dëshira juaj?

Është padiskutim dëshira ime. Është shtëpia e pushimit e ushtarakëve. Këtu pushojnë stafi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe stafi i Shtabit të Përgjithshëm. Është një ambjent shumë i bukur që i ofron të gjitha kushtet për të bërë pushime shumë të bukura dhe nuk ka asgjë më pak se sa ambjentet e tjera jashtë vendit apo diku tjetër. Këhstu që është padiskutim zgjedhja ime. Është edhe një politikë e qeverisë për të promovuar turizmin dhe për të shpenzuar sa më shumë kohë në këto vende të mrekullueshme që Shqipëria ofron për të pushuar.

A nuk është pak e lodhshme që edhe në punë keni të njëjtin staf, edhe me pushime keni po ata? Ndoshta duhet ndonjëherë ndonjë shkëputje nga njerëzit e punës…

I takon ose i shikon në një mënyrë tjetër. Nëse më përpara jemi parë të kollarisuar dhe duke diskutuar për punë, tani është pak më ndryshe, sepse takohesh në një ambjent shumë më të relaksuar edhe për të konsumuar një bisedë apo kafe miqësore përtej atyre kornizave profesionale që ndonjëherë të dikton zyra apo ambjentet shumë serioze të Ministrisë së Mbrojtjes. Është për mua një mundësi shumë e mirë edhe për t’i takuar njerëzit në pjesën tjetër më familjare.

Në fakt është hera e parë që na jepet mundësia që të kemi Ministren e Mbrojtjes në aspektin familjar, teksa pushon e zhveshur nga detyra. Si ka qenë për ju si eksperiencë ministria, një ambjent kryesisht me meshkuj?

Për mua për hir të së vërtetës ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Kam mësuar ta dua shumë këtë punë që bëj dhe këtë instituicion që drejtoj. Nuk mund të them se e kam njohur shumë më përpara sepse puna apo kontributi im në politikë dhe formimi im më kanë orientuar në të tjera gjëra që s’kanë qenë të lidhura me çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes. Por unë jam studente e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Ministria e Mbrojtjes, padiskutim ka edhe një komponent diplomatik të përfshirë në të. Është edhe një ministri që, për hir të së vërtetës nuk është fort e dukshme, ka kaq shumë dimensione. Disa thonë që është një shtet brenda shtetit. Kështu që të jep mundësinë që të shikosh dhe të drejtosh në shumë aspekte e dimensione. Është një punë jashtëzakonisht e bukur.

Ju keni qenë ministre edhe në Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe kaloni në Ministrinë e Mbrojtjes. A ju duket se janë dy skaje të kundërta? Cila ishte vështirësia juaj, pasi edhe profili juaj duket që është më social?

Ndoshta ekzaktësisht kjo mund të thuhet se ishte vëhstirësia e parë, pjesa që disiplinën e ushtrisë ose dukjen e pamjes së rreptë unë nuk e mishëroja në natyrën time, duke qenë pak më e ndjeshme nëse mund të jetë kjo fjala siç e cilësuat ju. Por, nga ana tjetër kuptova që nuk është e nevojshme për të ndryshuar natyrën për të drejtuar institucionin. Unë sigurisht respektoj të gjitha rregullat e ushtrisë, linjën e komandimit, disiplinën, por kujdesem personalisht për gjithçka dhe gjithkënd që ka nevojë për vëmendjen e titullarit. Dhe në këtë kuptim bëj çmos që edhe ata që nuk do të ishin tradicionalisht në vëmendjen e ministrit të jenë dhe le të themi kjo ndjeshmëri e imja është reflektuar këhstu.

E vështirë të përshtateshit me një formë tjetër përshëndetjeje?

Do jem shumë e sinqertë me ju, ende më vë pak në siklet ajo përshëndetja. Megjithatë është pjesë e punës, disiplinës së Forcave të Armatosura. Sigurisht e respektoj, por nga ana tjetër unë i përshëndes ashtu njerëzisht siç kam bërë gjithmonë.

Tashmë ju jeni edhe nënë dhe dedikimi ndaj familjes, vajzës, besoj kjo i ka ndryshuar disi raportet qoftë në përfshirjen politike, por edhe në detyrën si ministre..

Padiskutim. Koha për të, marrëdhënia me të është padiskutim një sfidë përsa kohë që koha e lirë është e kufizuar, por është edhe meraku kryesor që kam sa i takon një impenjimi ndoshta pak më të madh timin në kohën e lirë për ta shpenzuar me të. Nuk kam aq kohë sa ç”do të doja të kisha, por atë kohë që ja dedikoj është tërësisht cilësore, që do të thotë jam 110 përqind me të, pas saj. Deri më tani, pavarësisht kufizimeve gjykoj që nuk e ka ndjerë mungesën time cilësisht, pasi kam qenë gjithë kohën me të dhe pas saj, edhe kur nuk kam qenë aty fizikisht. Por ç’është më e rëndësishmja, dhe ky është një konstatim i imi për çdo grua në karrierë që për sa kohë që i dedikohen shumë cilësisht apo atë kohë që harxhojnë me fëmijët e tyre duke patur një vëmendje të dedikuar çdo gjë kompensohet.

Është vajza e babait, e përkëdhelur?

Është vajza e mamit totalisht. Babai është pakëz xheoz që ajo vazhdon të jetë ende gocë mami, sepse nuk e ka bërë ende atë kapërcimin. Do bëhet eventualisht gocë babi, se ka filluar të tregojë shenjat e para po për momentin është ende gocë mami.

Për ministren vetë si ka qenë? Keni qenë vajza e babit apo e mamasë?

Unë kam qenë vajza e babit me thënë të drejtën. Dhe e mbaj mend babin me shumë gjallëri kur kam qenë unë e vogël. Ma ka zbukuruar shumë fëmijërinë me vëmendjen që ka treguar dhe ndoshta është edhe një model se si unë dua të rris time bijë.

Ndoshta mund ta kesh thënë gjatë jetës se nuk do të kishe dashur që bashkëshorti të ishte pjesë e të njëtës fushë, punë dhe për më tepër në politikë aty ku ke qenë aktive. Tashmë ka ndryshuar ky mendim, pasi Artani është bashkëshorti yt, jeni të dy në të njëtën fushë dhe nuk e di sa jeni edhe përtnerë në vendimmarrje, në këshillim, në politikëbërje?

Kam idenë që jemi njohur në rrethana të tilla që na kanë bërë sigurisht partnerë, bashkëshortë, por edhe miq realisht shumë të mirë. Konsultohem gjithmonë me të. Nuk mund të them se vendimet tona janë gjithmonë të njëjta, por kemi një dialog shumë të shëndetshëm dhe shumë miqësor në prag të çdo sfide apo vendimmarrjeje. Fakti që sot nuk është në politikë, paçka se është shumë i angazhuar në sensin e të qenit aktiv me aktualitetin, mbështetës për gjithë sa bëj unë dhe gjithë sa bën kjo qeveri dhe kjo mazhorancë, duke qenë se ka qenë edhe deputet i Partisë Socialiste, por sot më i dedikuar pranë familjes, një ndihmë shumë e madhe për Hanën si edhe një mik e partrner i pazëvendësueshëm për mua dhe për marrëdhënien tonë, të paktën kështu e ndiej unë.

Çfarë ka ai në pjesën politike që ju do t’ja kishit pak zili?

Ka një intuitë që unë ja kam shumë zili. Ka një aftësi për të parë përtej asaj që duket…

Siç e do politika…

Siç e do politika, padiskutim, por edhe për të qenë pak më largpamës, më vizionar, për çfarë duhet bërë për të mbërritur disa qëllime shumë të mëdha dhe shumë të mira, kuptohet për punën që ne bëjmë, për të zhvilluar vendin, për të ofruar një standrat më të mirë jetese, për të përmirësuar cilësinë e jetës, që është puna e çdo qeverie dhe e çdo mazhorance.

Do doja t’ju ngacmoja për një ngjarje të madhe madhe që pritet, pikërisht për bazën ushtarake të Kuçovës që është diskutuar mjaft dhe ka marrë vëmendjen e të gjithëve…

Jam shumë e sigurt që ata që na ndjekin nuk duan të dëgjojnë shumë për bazën, por duan më shumë për detin dhe për plazhin. Megjithatë dua t’ju them diçka që është shumë e rëndësishme që mua më ka gëzuar si drejtuese e këtij institucioni pa masë. Është vendimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut për ta kthyer Shqipërinë nga një vend anëtar në infrastruktrë të NATO-s dhe për ta kapërcyer ose për t’i shtuar standartit tonë me NATO-n këtë stad. Kjo është një gjë shumë pozitive, jo vetëm për komunitetin ku do të ngrihet, pra për Kuçovën, përmes investimit që do të bëhet atje dhe të gjitha benefitet që vijnë nga invetsimet, por kjo është një gjë pozitive për të gjithë vendin, për faktin se është një velrësim nga ana e Aleancës për kontributin e Shqipërisë, për rolin e saj për sigurinë dhe për paqen por edhe në projektimin e paqes përtej vendit tonë. Dua t’ju them që Shqipëria është sot një nga vendet që angazhohet më së shumti me kontributin e saj, me trupat e saj në të gjitha operacionet ndërkombëtare të Aleancës dhe ky është një fakt shumë i vlerësuar prej tyre. Shqipëria është një faktor stabiliteti për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe sërish ky rol është vlerësuar në vendimin e tyre për të sjellë bazën.

Zonja Xhaçka, sa do të qëndroni për pushime? Do të kesh mundësi të rrish disa ditë të paktën të shijosh edhe Hanën?

Po shpresoj shumë. Kam marrë pushime deri në datën 15. I kam sytë nga parashikimi i motit, sepse jemi gjatë gjithë kohës edhe me emergjencat civile, me prefekturat, me bashkitë, për të marrë masat sa mund të marrim përpara që të mos kemi probleme me zjarret apo me këto që janë emergjenca sezonale. Fatmirësisht deri tani nuk kemi pasur dhe kjo po më lejon edhe mua të pushoj e qetë. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund.

E shijoni detin të dyja? E ka qejf Hana?

E ka shumë qejf dhe unë e kam shumë qejf.

E ka trashëguar nga mamaja…

Po patjetër

Ditën që erdhët në Jalë kishit vajzën në krahë dhe po ecnit me bashkëhsortin të tre qetë-qetë. Po a është e bezdishme kur vijnë dhe ju takojnë njerëz dhe ju jeni me vajzën në krah, në rolin e nënës. Ishte një detaj që më tërhoqi vëmendjen? Sa e vështirë është?

Kam përshtypjen që edhe njerëzit janë të përmbajtur. E respektojnë privatësinë. Nuk do ta kisha problem, ndoshta se nuk ndodh kaq shpesh, saç mund ta imagjinoni juve dhe nuk është se përbën ndonjë lajm që po ecën një ministër tek Lungomare me bashkëshortin. Sigurisht ka njerëz që kur të njohin të përshëndesin, jo duke të ndërhyrë në qetësinë tënde familjare, por të përshëndesin. Po një pjesë e madhe edhe nuk të njohin, sepse nuk e mendojnë që mund të kalojë një ministër krejt sportiv me një kapele me syze dhe ndoshta edhe nuk të njohin për hir të së vërtetës.


Mua më bëri përshtypje. …. imagjino që është ministre që mund të ngrejë shtetin në këmbë…

Edhe e mitizojnë pak figurën e ministrit, por natyrisht që jemi si gjithë të tjetër dhe jemi aty si gjithë të tjerët.

Ama diferenca bëhet, edhe teksa pushon nuk është se ti pushon dhe duket sikur puna të shoqëron ashtu siç na the..

Fatkeqësisht po. Në mos në telefon, me mesazhe jam gjithmonë duke korrodinuar një gjë, jam gjithmonë duke bërë një punë aq sa jo më larg se dje iu ankova shefes time të kabinetit se s’po më linte rehat dhe mund të merrte edhe disa vendime të vogla pa më thënë, por në fakt sigurisht titullari duhet të jetë në dijeni.

Po Forcat e Armatosura marrin leje, çfarë ndodh me ta?

Fatkeqësisht Emergjencat Civile janë të gjithë në gatishmëri. Kemi 6000 oficerë, 6000 efektivë të FA që janë sot në gatishmëri dhe nuk mund të marrin pushime derisa të kalojë ky sezoni i nxehtë që mund të na paraqesë edhe problematika siç janë edhe zjarret. Duke alternuar dhe duke parë mundësinë që edhe puna të mos pengohet, edhe gatishmëria jonë si Forcë e Armatosur të mos cenohet, të kemi mundësinë që të alternojmë pushimet e njerëzve.

Bashkëshorti

“Kam idenë që jemi njohur në rrethana të tilla që na kanë bërë sigurisht partnerë, bashkëshortë, por edhe miq realisht shumë të mirë. Konsultohem gjithmonë me të. Nuk mund të them se vendimet tona janë gjithmonë të njëjta, por kemi një dialog shumë të shëndetshëm dhe shumë miqësor në prag të çdo sfide apo vendimmarrjeje”, tha Xhaçka për bahskëhsprtin e saj, ish-deputetin socialist Artan Gaçi.

Baza e NATO-s

“Është vendimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut për ta kthyer Shqipërinë nga një vend anëtar në infrastruktrë të NATO-s dhe për ta kapërcyer ose për t’i shtuar standartit tonë me NATO-n këtë stad. Kjo është një gjë shumë pozitive, jo vetëm për komunitetin ku do të ngrihet, pra për Kuçovën, përmes investimit që do të bëhet atje dhe të gjitha benefitet që vijnë nga invetsimet, por kjo është një gjë pozitive për të gjithë vendin”, tha dje, ministrja Xhaçka.

Ministria

Sipas Xhaçkës, ministria që ajo drejton, “është edhe një ministri që, për hir të së vërtetës nuk është fort e dukshme, por ka kaq shumë dimensione. Disa thonë që është një shtet brenda shtetit. Kështu që të jep mundësinë që të shikosh dhe të drejtosh në shumë aspekte e dimensione. Është një punë jashtëzakonisht e bukur”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb