NGA: Fatmir Popja
ELBASAN-
Reshjet e dendura të dëborës gjatë natës kanë mbuluar fshatrat malore të Librazhdit Gramshit dhe Elbasanit. Mësohet se trashësia e dëborës shkon nga 5-10 cm, ndërkohë që disa segmente të rrugëve rurale paraqesin vështirësi për momentin edhe pse reshjet janë ndërprerë dhe moti është i kthjellët.

Situata më problematike raportohet në aksin Lunik-Stebleve në Bashkinë Librazhd pasi në Zgosht ka patur rrëshqitje të tokës. Ndërkohë, pas përkeqësimit të motit, që u shoqërua me stuhi, pati probleme në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të rrethit të Librazhdit.

Kështu, problematike u paraqit situata në Njësinë Administrative Hotolisht në Bashkinë e Librazhdit. Fshatrat Vehçan, Çerçan, Xhyrë, Buzgarë dhe Kokrevë mbeten pa energji prej mëngjesit të së mërkurës. Energjia sipas banorëve është rikthyer vetëm 30 minuta në mesditën e djeshme. Mungesa e investimeve në rrjetin shpërndarës në këtë zonë sipas banorëve shoqërohet me stakimin e energjisë në çdo kohë kur përkeqësohet moti. Sakaq, aksi kombëtar Prrenjas-Qafe Thanë është i kalueshëm, ndërkohë që trashësia e dëborës arriti 5cm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb