VLORE– VLORE- Ministria e Turizmit njofton se një vrojtues plazhi i ka dhënë ndihmën e parë një personi rreth 40 vjeç nga Kosova, i cili po rrezikonte të mbytej në Vlorë. Pushuesi gjendej në një plazh privat në Lungomare duke u larë, por deti i trazuar i ka vënë në rrezik jetën. Personi është pikasur nga vrojtuesi, i cili dhe i ka shpëtuar jetën dhe ka lajmëruar urgjencën, makina e së cilës ka ardhur dhe e ka marrë.

“Ndërhyra në kohën e duhur dhe veprova sipas rregullave të një vrojtuesi plazhi. Isha te kulla e vrojtimit mora beywatching shkova me vrap te i rrezikuari. Personi po tundte duart, po mbytej, po tregonte qartë që ishte në rrezik, pasi shkova i zgjata beywatching, e kapi dhe e tërhoqa. E ngrita aty erdhi dhe shoku, I cili punon me çadrat në plazh erdhi më ndihmoi e kapëm të dy. Pasi e nxorëm nuk ishte në gjendje shumë të mirë, tensionin e kishte shumë të lartë, pulsin gjithashtu, kishte problem me zemrën, të rrahura të forta. Ishte rreth 40 vjeç, kosovar”, thotë Andrea Cenodemaj, vrojtuesi i plazhit.

Aktualisht personi është jashtë rreziku për jetën. Në ndihmë të vrojtuesit ka shkuar dhe një punonjës i plazhit.

“Sapo pash situatën shkova në ndihmë të vrojtuesit të plazhit dhe çdo gjë u vu nën kontroll”, thotë një punonjës.

Ndërkohë pushuesit vazhdojnë të qetë aktivitetin e tyre ditor.

“Kam 10 ditë që pushoj në këtë plazh. Gjendja u normalizua për 10 minuta, djaloshi jo vetëm shpëtoi jetën e personit po lajmëroi dhe ambulancën e cila erdhi për 3 minuta”- thotë një plazhiste.

Vetëm qyteti i Vlorës numëron 5 jetë të shpëtuara nga vrojtuesit e plazheve gjatë këtyre dy muajve. Vrojtuesit e plazheve trajnohen dhe licencohen për dhënien e ndihmës së parë. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave çdo subjekt privat ka detyrim ligjor që të punësoj një vrojtues në sipërfaqen ku ushtron aktivitetin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb