TIRANE – Bashkia e Tiranës njoftoi për rrugën e re nga kryqëzimi i ish-Kombinatit “Josif Pashko” deri tek ish-Uzina Dinamo. Investimi ishte premtuar që në vitin 2013 nga administrata e kaluar, por përfundoi falë ndërhyrjes nga Bashkia e Tiranës për lirimin e hapësirave nga objektet informale dhe trajtimin me bonus strehimi të familjarëve të cilët prekeshin nga zbatimi i projektit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se edhe në këto ditë gushti, bashkia është në krye të punëve. Ai nënvizoi se pas këtij investimi, kjo zonë pritet të njohë një investim të rëndësishëm nga qeveria për stacionin e ri të trenit të kryeqytetit.

“Në Bashkinë e Tiranës kemi një parim: çdo ditë një punë konkrete! Puna konkrete në këtë ditë të nxehtë gushti është ky ‘by-pass’, që lidh disa zona informale, që njihen me emrin ‘shinat e Trenit’. Siç e shihni, shinat e trenit janë këtu dhe presin investimin e radhës të qeverisë, që do sjellë trenin tek Bulevardi i Ri, por ndërkohë që presim trenin, s’duhet të humbasim trenin e investimeve në Tiranë. Kjo është arsyeja pse jemi zhvendosur drejt periferisë”, tha kreu i Bashkisë.

Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka rreth 100 kantiere të hapura, ku po punohet për përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës rrugore, por edhe për institucionet arsimore dhe sociale të qytetit. “Sot në Tiranë kemi rreth 100 kantiere të hapura. Angazhimi ynë është që derisa njerëzit të kthehen nga pushimet, të përfundojmë shumicën e këtyre kantiereve, sidomos ato që kanë të bëjnë me akset kryesore të rrugëve, unazat e disa rrugë të tjera apo institucionet arsimore, shkollat, kopshtet e çerdhet”.

Ndërhyrja në segmentin midis kryqëzimit ish Kombinati “Josif Pashko” te ish “Uzina Dinamo” ka konsistuar në realizimin e rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e sistemit të ndriçimit, trotuare, gjelbërim dhe vendosjen e plotë të sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: